Gjoba dhe pezullime për subjektet që janë gjetur në shkelje të protokolleve të sigurisë 18 Korrik- Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës: Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, realizuan mbi 1300 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit në 24 orët e fundit. Nga inspektimet janë marrë 20 masa administrative për subjekte dhe individë të gjetur në shkelje të protokolleve dhe rregullave për mbrojtjen nga COVID-19. 1 pezullim aktiviteti dhe 19 masa administrative me gjobë; 2 masa me gjobë në piceri/fast food dhe 17 masa administrative me gjobë ndaj individëve për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura.
Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Dibër, Tiranë, Durrës, Berat, Vlorë. Task Forca anti-COVID në total ka kryer mbi 115 mije kontrolle dhe monitorimet në terren dhe gjatë epidemisë dhe janë vendosur rreth 450 masa administrative për subjektet e gjetura në shkelje të protokolleve të sigurisë, miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura. MSHMS bën apel të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët. Detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë për çdo individ në të gjitha ambjentet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit.
Ministria e Shëndetësië u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.