Gjoba për individë dhe subjektet që janë gjetur në shkelje të masave per parandalimin e COVID-19 19 Korrik- Task-Forca antiCOVID vijon kontrollet edhe në fundjavë. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës: Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, realizuan mbi 900 inspektime dhe monitorim në 24 orët e fundit. Nga inspektimet janë marrë 5 masa administrative për subjekte dhe individë të gjetur në shkelje të protokolleve dhe masave për mbrojtjen nga COVID-19.
3 masa administrative me gjobë në bar kafe/ restorant, 1 masë me gjobë ndaj individit për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura dhe 1 masë me gjobë në market ushqimor.

Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Durrës, Korçë, Vlorë. Task Forca anti-COVID në total ka kryer mbi 116 mije kontrolle dhe monitorimet në terren dhe gjatë epidemisë dhe janë vendosur 450 masa administrative për subjektet e gjetura në shkelje të protokolleve të sigurisë, miratuar nga Ministria e Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura. MSHMS bën apel të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët. Detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë për çdo individ në të gjitha ambjentet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit.

Ministria e Shëndetësië u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.