Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) kanë vazhduar gjatë ditës së sotme inspektimin dhe monitorimin si pjesë e taskforcës kundër përhapjes së Covid-19. AKU njofton se ka kryer 644 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit.
“Me gjithë këmbënguljen e përditshme të taskforcës për implementimin rigoroz të protokollit të sigurisë kundër përhapjes së virusit, janë dhënë 3 masa administrative në tre subjekte për mosplotësim të kushteve të protokollit”- njofton AKU.
Ndërkohë gjatë inspektimeve është dhënë një masë administrative për tregtim të produkteve ushqimore të pasigurta.
Sipas AKU-së, referuar kërkesave të një subjekti është kryer proceduara e asgjësimit të një sasie të fruta-perime të papërshtatshme për konsum, përkatësisht 6000 kg speca, 19.000 kg shalqi, 18000 kg pjepër dhe 6000 kg patate. Ndërsa janë marrë 89 mostra për monitorim të qumështit dhe në fruta-perime për monitorim të mbetjeve pesticide. AKU po vijon punën në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.