Portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, raportohet se nuk e ka të sigurt pjesëmarrjen në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Napolit, që do të zhvillohet më 8 gusht. Sipas gazetës spanjolle Diario AS, portieri gjerman është duke u përballur me disa probleme nga një lëndim i gjurit, transmeton Gazeta Express. Ai mungoi edhe në ndeshjen e fundit të sezonit të La Ligës për Barcelonën, kundër Alaves, dhe mund të detyrohet të bëhet operacion për t’u shëruar.

Operacioni do t’ia pamundësonte Ter Stegenit të luajë për tre muajt e ardhshëm, kështu që ai do të mundë të kthehej vetëm në sezonin e ardhshëm. Nëse Ter Stegen s’luan në ndeshjet e Ligës së Kampionëve këtë sezon, atëherë ish-portieri i Fiorentinës dhe Juventusit, Norberto Neto, do ta zërë vendin e tij në portë. Barcelona e barazoi ndeshjen e parë kundër Napolit në Itali me rezultat 1:1, në shkurt, ndërsa ndeshja kthyese e kësaj përballjeje, e vlefshme për 1/8 e finales, do të zhvillohet më 8 gusht.