Shtetet e Bashkuara “po shqyrtojnë mundësinë” e ndalimit të aplikacioneve kineze, përfshirë TikTok, për shkak se ato ndajnë informacionet me qeverinë kineze. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare, në lidhje me trajtimin e të dhënave të përdoruesve nga ana e TikTok.
Ata shprehen të shqetësuar nga ligjet kineze, që i kërkojnë kompanive vendase “të mbështesin dhe bashkëpunojnë me inteligjencën e kontrolluar nga Partia Komuniste Kineze”. Sekretari i shtetit Mike Pompeo tha se amerikanët duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e këtij aplikacioni. Tiktok është në pronësi të kompanisë ByteDance me bazë në Kinë.
Kur u pyet se çfarë u sugjeron njerëzve që shkarkojnë aplikacionin TikTok, Pompeo tha se “informacionet tuaja private do të jenë në duart e Partisë Komuniste Kineze”. Në përgjigje të komenteve të tij, TikTok i tha agjencisë Reuters se nuk ia ka dhënë kurrë të dhënat e përdoruesve autoriteteve në Kinë, dhe as nuk do ta bënin nëse do t`iu kërkohej.
TikTok është ndaluar së fundmi në Indi së bashku me 58 aplikacione të tjera kineze pas një përplasjeje në kufi mes Indisë dhe Kinës.