Nga Albert Nikolla/
Një ndër vetitë më të dallueshme të mendësisë totalitare është theksimi i rëndësisë së propagandës në ligjërimin politik. Pikërisht këtë bëri dje LBPD, i cili i ndodhur mes dy trysnive, nga njëra anë lëvizja interesante e Kryeministrit Rama për hapjen e pjesshme të listave, nga ana tjetër i cythur nga LSI dhe kryeplaku historik i PD-së, të cilët janë të përdatur nga hapja e listave, është detyruar të hedhë një shashkë: hapjen 100% të listave. Duke qenë se nuk e ka mprehtësinë e duhur politike për hapa cilësorë në politikë, ai sillet si një adoleshent, të cilit kur i vendosin përballë argumentat e pakundërshtueshëm, fillon e bërtet kuturu me parulla totalitariste: 100% e listave të hapura, ndërkohë që dje thoshte: 0% e listave të hapura. H. Arendt pohonte se një ndër vetitë interesante të totalitarizmit qëndron në besimin e verbër se fjalët e kota dhe injorimi i realitetit mund të kenë më shumë efekt se e vërteta politike e një situate konkrete. Saktësisht këtë bën LBPD duke e menduar politikën si hapësirë në të cilën kush thotë rrenën më të madhe, fiton. Me siguri është i detyruar nga kryeplaku që të vazhdojë të përkundë militantët e PD-së me ëndrrat e shpresërrenat e pambarim se rrotacioni po vjen. Mjerisht për ta, rrotacioni nuk vjen me rrotën e fatit.
Hapja e pjesshme e listave është hap i mirëmënduar pasi ky vendim duhet të shkojë paralelisht me demokratizimin e partive, por njëherëzi duhet të bëjë llogaritë me elementë tribalë që mund të përdorin metoda jo demokratike në fushatë zgjedhore. Për këtë arsye një hapje e pjesshme e mbështet demokratizmin e partive, por edhe i mbron ato edhe nga një eventualitet i rrezikshëm i humbjes së boshtit ideologjik të tyre. Në kontekstin kulturor shqiptar, partia duhet të luajë akoma një rol të fortë në prioritetet ideologjike të saj dhe të ketë peshë të madhe në përcaktimin e personave që futen në kuvend në emër të partisë. Gara zgjedhore nuk është garë vrapimi ku kush ecën më shpejt futet në Kuvend. Ajo është garë e mbartjes së vlerave ideologjike dhe historike të partisë që përfaqëson e për rrjedhojë duhet të jetë partia që kryesisht vendos se kush garon. Në këtë perspektivë hapja e pjesshme e listave garanton edhe mbrojtjen e strukturës ideologjike edhe programin politik të partisë. Jam i bindur se demokracia si në një shoqëri ashtu edhe brenda partive nuk është çështje vendimi të një dite të vetme por është ecje e vështirë dhe e durueshme. Çdo broçkull ditore e opozitës do të përballet me këtë ecje serioze që PS-ja premton.
Kurrë më parë, se sa në këto ditë të debatit për hapjen e listave, nuk më është përforcuar dyshimi se për politikanët e Opozitës vlen aksioma: “politika është i vetmi profesion për të cilin nuk nevojitet asnjë përgatitje e veçantë”. Çfarë thotë në mëngjes, e mohon në darkë; për çfarë bie dakord në mesnatë, e mohon në mesditë. Njëmend, rreziku madh që i kanoset një kombi të tërë vjen nga papërgatitja, cektësia, papërgjegjësia e klasës politike (në rastin tonë opozitare) që profesionin më të arrirë ka shitjen e tymit të shashkave. Dhe sa i përket tymit, interesante janë fjalët fshikulluese të Indro Montanelli-t: “I çuditshëm vend i juaji, godet shitësit abuziv të cigareve, por çmon shitësit e tymit”. LBPD shet tym me lista të hapura 100%!
Çka është e sigurt, çka leverdis dhe sjell përfitim, përfaqëson sot njësinë matëse që përdorin politikanët opozitarë. Në të kundërt, zgjedhja e drejtësisë, dashamirësisë, angazhimit për të tjerët është një rrezik që përpiqen ta shmangin. Kështu bëhen meskinë, të ngushtë, mediokër: ta paaftë për të kryer një vepër të lirë dhe falas, deri në atë pikë sa, nëse dikush shfaqet bujar me hapjen e listave, dyshohet të jetë mashtrues ose damksoset si i paditur. Vetëm frika se Edi Rama e fitoi betejën e hapjes normale të listave i ka bërë të dalin jashtë vetvetes. Frika e opozitës nuk është as sociologjike dhe as psikologjike, ajo është frikë që vjen nga përvjedhja prej verbimit të së vërtetës, sepse e vërteta do ta bënte të ndërronte mendësi politike. Krerët opozitare dëmtojnë pikësëpari popullin opozitar me këto kapërcime rokamboleske pasi e konsiderojnë atë si një turmë anonime e jo si një grupim të gjallë politik. Opozita duhet t’i largohet frikës, ndryshe do të mbetet skllave e përhershme e saj. “Veç kush është bërë njësh me veten nuk ka më frikë nga frika. Qëllimi i skajshëm i çdo mundi njerëzor është të jetuarit e jetës së vet”. (R. Fassbinder).