Xherdan Shaqiri është lojtari me origjinë shqiptare më i titulluar në histori, pwrsa i pwrket kompeticioneve tw mwdha europian. 28-vjeçari nga Gjilani këtë sezon u shpall fitues i Premier Ligës, që ishte titulli i 17 në karrierën e tij. Përtej trofeut të fituar, Shaqiri këtë sezon është dukur shumë pak në fushë, i ndikuar nga dëmtimet e shpeshta, por edhe preferenca e trajnerit Klop.
Ky fakt ka shtyrë Arno Rosinin, ish-trajner i Sionit, Lokarnos e të rinjve të kombëtares së Zvicrës, të lëshojë një deklaratë shumë të ashpër ndaj yllit të kombëtares së Zvicrës. Tekniku helvet, tashmë 63 vjeç (që nga 2015 nuk drejton asnjë ekip), e cilëson Shaqirin si një “ushtar” me fat në ekipe të mëdha dhe shprehet se askush nuk e kujtojë atë pas 10 vitesh se ka luajtur me Bajernin apo Liverpulin.
“Shaqiri nuk është një kampion, ai është një lojtar i mirë, që ka pasur fatin të jetë ‘ushtar’ në ekipe fituese. Nuk mund të themi se ai la gjurmë me ekipet ku fitoi trofe. Ai ishte protagonist absolut te Bazel, por sigurisht që jo te Bajern apo Liverpul.
Xherdani ka shumë cilësi. Ai di se si të shpikë gjëra të jashtëzakonshme. Gjithsesi, kufiri i tij i madh ka qenë gjithmonë vazhdimësia. Nga 90 minuta, ai luan në maksimumin e tij ndoshta vetëm çerek ore. Dhe kjo sigurisht që nuk i shtyn trajnerët ta vendosin atë në formacionin e parë.
Ai i ka ndjekur nga stoli shumicën e ndeshjeve ku ka luajtur. Është e mjerueshme. Nëse jo në formacionin e parë, të paktën duhet të kishte bërë diçka e të ishte zgjedhja e parë e trajnerëve në stolin e rezervave. Por asgjë. Sigurisht, Shaqiri po e mbush llogarinë e tij me miliona, por nuk e di sesa njerëz do e mbajnë mend atë pas 10 vitesh se ka luajtur me skuadrat e mëdha.
Ai ka edhe tre vite me Liverpulin dhe nëse do të këmbëngulë të qëndrojë, klubi mund ta huazojë diku deri në përfundim të kontratës. Pas kësaj ai mund të kthehet te Bazeli, ku edhe do të ishte afër bankave, ku ka siguruar gjithë paratë e siguruara prej vitesh”, shprehet mes të tjerash Rosini.