Nga ALfred Peza
Ka një strategji opozitare të bazuar kryesisht tek propaganda e saj, për ta injoruar ekzistencën e opozitës së re parlamentare, përmes asaj që njihet si “loja e strucit”. Ose e thënë më fjalë më të thjeshta, meqenëse PD dhe LSI nuk duan ta pranojë realitetin parlamentar me deputetët e listave të tyre, irritohen pse të tjerët e shohin këtë realitet që ata e mohojnë!

I.

Tripolariteti i skenës politike shqiptare

Politika shqiptare në 16 vitet e fundit ka patur një tripolaritet mobile, për shkak të daljes në skenë të LSI si një realitet i ri. Në vitin 2009, partia e Ilir Metës u bë pjesë e bashkëqeverisjes me Sali Berishës, për shkak të nevojës së PD për mandatet e saj. Skena politike kishte dy pole në pushtet dhe PS në opozitë.

Në vitin 2013, LSI e ruajti pozitën e “kingmaker”-it, duke i zhvendosur mandatet e saj në aleancë me PS, për të krijuar qeverinë e Kryeministrit Edi Rama. Tripolariteti u ruajt me PD në opozitë. Mobiliteti i votave dhe mandateve të LSI, herë në anën e së djathtës dhe herë në atë të së majtës, krijoi balanca të reja që diktuan zhvillimet e 8 viteve të ndezura politike.

Pas zgjedhjeve të 2017, skena politike u rikthye tek bipolariteti i dikurshëm. PS i siguroi mandatet për të qeverisur e vetme dhe PD me LSI, krijuan sëbashku polin e vetëm opozitar. Djegia e mandateve në janarin e 2019, e ndryshoi sërisht skenën shqiptare. Deputetët e pjesës së dytë të listave të Bashës e Kryemadhit, zunë vendet e tyre në Parlament dhe krijuan polin e tretë politik.

II.

Marrëveshja e tryezës së Këshillit Politik

Për ti dhënë mundësinë opozitës së rrugës, që të rikthehet në sitemin politik dhe demokratik të vendit, u krijua shtegu i tryezës së Këshillit Politik. Përfaqësuesve të PD dhe LSI, iu dha e drejta e barabartë me përfaqësuesin e mazhorancës dhe atë të opozitës së re parlametare, për reformën e re zgjedhore.

Pasi marrëveshja u arrit edhe me ndërmjetësimin e SHBA e BE, socialistët janë shprehur të vendosur që ta votojnë Kodin e Ri Elektoral në institucionin e pushtetit legjislativ, sipas dakordësisë me opozitën e rrugës. Përtej vullnetit politik, realiteti është se reforma zgjedhore, votohet në Parlamen me 84 vota.

Partia Socialiste dihet se, nuk i ka e vetme të gjitha votat e nevojshme, për të arritur në miratimin e kësaj reforme mjaft të rëndësishme për zgjedhjet e 2021 dhe për ecurinë e mëtejshme të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

III.

Ekuacioni i votimit të reformës Elektorale

Kryeministri Rama, Kryeparlamentari Ruçi, Ambasadorja e SHBA dhe përfaqësues të BE, janë në negociata me drejtuesit e grupeve të opozitës së re, për miratimin e reformës elektorale në seancën plenare të 30 korrikut në Kuvend.

Një pjesë e tyre janë të irrituar, sepse përveç linçimit nga opozita e rrjeteve sociale, u kërkohet të votojnë një marrëveshje që i nxjerr ata vetë nga politika. Nga pozitat e atyre që zotërojnë mandatet kyçe për miratimin e reformës, kërkojnë të imponojnë 2-3 kërkesa që besojnë se, ndihmojnë sistemin por edhe ata vetë, për tu faktorizuar në zgjedhjet e reja.

Të vetmit që nuk kanë negociuar deri tani me ta, janë PD dhe LSI. Ironia është se mirë që nuk e pranojnë dështimin e kauzës së djegies së mandateve, por ata që sot kanë në dorë votimin e të ardhmes së tyre politike, po i trajtojnë si tua kishin borxh votën. Madje akoma edhe më keq. Sikur të mos ekzistonin fare. Nëse politika është arti i kompromisit, duke u sjellë kështu sot me të vetët kur janë në rrugë, imagjinoni pak nesër kur të jenë në pushtet!