Turqia i kërkoi Bashkimit Europian të ndryshojë listën e vendeve që do t’u lejohet të udhëtojnë drejt BE-së, duke sugjeruar që përjashtimi i Ankarasë ishte një “gabim”. Në një deklaratë, Ministria e jashtme e Turqisë kritikoi vendimin e BE për të mos e përfshirë në listën e 15 vendeve, duke theksuar se i përmbush të gjitha kushtet. Ashtu siç e kërkon BE-ja, Turqia thotë ka më pak 16 të infektuar për 100 mijë banorë, vetëm 12, por kjo duket se nuk ka ndikuar në vendimin e unionit.
“Ne jemi të zhgënjyer që Turqia nuk është përfshirë në listë,” tha Hami Aksoy, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai tha se përgjigjja e Turqisë ishte “konsideruar shembullore nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe bashkësia ndërkombëtare” dhe se suksesi i vendit në luftën kundër virusit ishte “i dukshëm”.
“Ne presim korrigjimin e këtij gabimi në lidhje me kufizimet e udhëtimit për qytetarët tanë sa më shpejt të jetë e mundur,” thuhet në deklaratë. Sipas marrëveshjes së së martës, anëtarët e BE ranë dakord të hapnin kufijtë me vendet e tretë bazuar në përhapjen aktuale të koronavirusit, dhe veçanërisht nëse shkalla e infeksionit është e ngjashme ose më e ulët se mesatarja e BE-së. Lista do të azhonohet çdo dy javë bazuar në të dhëna të reja.
Sidoqoftë, lista duket të jetë një ekuilibër i interesave kombëtare dhe financiare të vendeve anëtare. Disa prej tyre kërkuan Turqia të përfshihej në listë për arsye turizmi, por Franca mësohet se ka kundërshtuar hapjen e kufijve me Ankaranë. BE nuk ka pranuar të hapë dyert për vendet që kanë pasur më shumë se 16 raste për 100,000 banorë gjatë dy javëve të fundit, kusht që përmbushet nga Turqia. Sidoqoftë, sistemi bazohet edhe në kritere të tjera, siç janë masat mbrojtëse që merren, numri i testimeve etj.
Një element tjetër që mësohet se u përdor për Turqinë dhe Ballkanin Perëndimor, janë kriteret sociale dhe ekonomike, të cilat kanë bërë po ashtu që Turqinë të përjashtohet nga kjo listë.