Vaksina që po zhvillohet në Universitetin e Oksfordit është një nga kandidatët kryesorë në garën globale për të mbrojtur kundër koronavirusit. Studiuesit në Oksford besojnë se ata kanë bërë një përparim në zhvillimin e vaksinës së tyre. Studimet tek njerëzit raportohet se kanë treguar rezultate premtuese, pasi ekipi zbuloi se vaksina mund të sigurojë “mbrojtje të dyfishtë” kundër virusit. Mostrat e gjakut të marra nga vullnetarët në provat e fazës së parë treguan se vaksina stimulon trupin të bëjë antitrupa dhe qeliza T, citohet një raport i publikuar në The Daily Telegraph.

Qelizat T luajnë një rol kryesor në reagimin imunitar të trupit. Një burim i tha gazetës se kombinimi do të “shpëtonte me siguri njerëzit”. Kjo vaksinë e Oksfordit është një nga më shumë se 100 që janë duke u zhvilluar në botë. David Carpenter, kryetari i Komitetit të Etikës së Kërkimit në Berkshire, i cili miratoi testin në Oksford, tha se ekipi i vaksinave ishte “absolutisht në rrugën e duhur”.