Turkmenistani është një nga rastet e rrallë në botë, ku nuk është raportuar asnjë rast infektimi me koronavirus. Kuptohet, është edhe Koreja e Veriut, por aty nuk mund të hyjë askush për verifikim. Për të verifikuar rastin e pabesueshëm, OBSH ka dërguar disa ekspertë në Turkmenistan.
Dhe, pavarësisht kërkimit të imtësishëm, nuk kanë arritur dot të vërtetojnë nëse koronavirusi ka qenë prezent në këtë vend. Duhet thënë se gjatë vizitës së tyre, presidenti i vendit, Gurbanguly Berdimuhamedov, organizonte ushtrime fizike në grup, ku merrnin pjesë qindra persona. Më pas, ndërsa ekspertët e OBSH bënin verifikimet e tyre, iku me pushime.
Rasti i Turkmenistanit është për t’u çuditur, sepse kufizohet nga vende që janë prekur masivisht nga koronavirusi: 14 mijë të infektuar në Uzbekistan, 34 mijë në Afganistan, 61 mijë në Kazakistan, 226 mijë të infektuar dhe 13 mijë të vdekur në Iran.
Megjithatë, OBSH vazhdon të mendojë se Turkmenistani ka fshehur të vërtetën. Ndërkohë, së fundmi në këtë vend kanë filluar të vënë të gjithë maskë në publik, por për një arsye tjetër. Të paktën sipas pretendimeve të autoriteteve vendase. Ata thonë se maskat po mbahen nga qytetarët, për t’u mbrojtur nga pluhuri.