Drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge beson se vendimi për anulimin e Topit të Artë për këtë vit është një vend i padrejtë, pasi që ai beson se Robert Lewandowski mund ta kishte fituar çmimin e këtij viti. Këtë vit Topin e Artë nuk do ta fitojë asnjë futbollist, pasi që organizatorët, France Football, vlerësuan se shkaku i pandemisë nuk kishte kushte mjaftueshëm të drejta për ta zgjedhur dikë për këtë çmim.
“Në rrethana të jashtëzakonshme, për herë të parë në historinë e vet, që filloi në vitin 1956, Ballon d’Or France Football nuk do të ndahet për vitin 2020 për shkak të mungesës së kushteve të drejta”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga France Football.
Që kur u bë i ditur lajmi për anulimin e Topit të Artë, tifozët e Robert Lewandowskit janë ankuar se futbollistit të tyre të preferuar i është rrëmbyer Topi i Artë këtë vit, pasi që polaku konsiderohej si favoriti për këtë çmim.
Edhe Rummenigge beson se Lewandowski do ta kishte merituar këtë çmim për këtë vit, pasi 51 golat e tij këtë sezon ia kanë dhënë Bayernit trofetë e Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë, ndërsa mund t’i ndihmojë edhe për trofeun e Ligës së Kampionëve.
“Unë besoj se Robert Lewandowski është duke e zhvilluar një sezon fantastik dhe ky sezon ka qenë ndoshta më i miri në karrierë për të”, ka thënë Rummenigge.
“Fatkeqësisht, France Football e anuloi Topin e Artë, gjë për të cilën s’jemi aspak të kënaqur. Në fund të fundit, nuk është e drejtë – jo vetëm për Bayernit, por as për Lewandowskin, i cili mund ta kishte fituar atë”.
“Unë besoj se është e rëndësishme që në një sezon kur, përveç ligës në Francë, ligat vazhduan deri në fund, duhet të jepet mundësia për t’ia dhënë Topin e Artë futbollistit më të mirë në botë”.
“Natyrisht, unë besoj se në këto rrethana, Roberti do ta kishte pasur një mundësi shumë të mirë për ta fituar këtë çmim për herë të parë në karrierën e vet”.