Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara vendosi që të dhënat financiare të presidentit Donald Trump mund të kontrollohen nga prokurorët në Nju Jork.
Sic raportojne mediat e huaja, gjykata tha se këto informacione nuk duhet të ndahen me Kongresin amerikan.Trump është presidenti i parë amerikan, që nga Richard Nixon në vitet 1970, që nuk i ka bërë publike deklarimet e taksave.
Avokatët e tij kanë thënë se presidenti gëzon imunitet të plotë gjatë kohës që është në zyrë dhe se Kongresi nuk ka asnjë arsyetim të vlefshëm për t’i kërkuar të dhënat. Këto të dhëna kanë potencial për të zbuluar detaje mbi gjithçka, nga veprimet e mundshme të gabuara deri te natyra e vërtetë e pasurisë së presidentit.
Ato po ashtu mund të zbulojnë mënyrën se si ai i shpenzon paratë e tij dhe sa jep për bamirësi. Dy komitete të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, që kontrollohet nga demokratët, dhe prokurori i Qarkut të Nju Jorkut, Cyrus Vance, po ashtu demokrat, kanë kërkuar të dinë për taksat e Trumpit, në mënyrë që të përcaktojnë nëse ligjet aktuale të konfliktit të interesit për një president amerikan, janë mjaftueshëm të ashpra.
Trump, republikan, i mohon shkeljet, ndërsa hetimet në çështjet e taksave të tij i cilëson si “gjueti shtrigash”. “Gjykata Supreme e dërgon çështjen përsëri në Gjykatën e Ulët, argumentet do të vazhdojnë. E gjitha është një përndjekje politike”, shkroi Trump në Twitter, pas vendimeve të Gjykatës Supreme. Të dyja vendimet u morën me shtatë vota për dhe dy kundër nga nëntë gjyqtarët e Gjykatës Supreme. Të dyja janë shkruar nga kryetari i gjykatës, John Roberts.