Që prej zjarrit shkatërrimtar të vitit të kaluar, ka pasur debate të shumta mbi pamjen e Notre Dame pas procesit të restaurimit. Por kryearkitekti i vendit për monumentet historik, Philippe Villeneuve, e bëri të qartë se komisioni përgjegjës për restaurimin nuk duhet të bëjë absolutisht asnjë lloj ndryshimi.
Notre Dame sipas tij, duhet të duket saktësisht siç ishte përpara! Kjo çështje ka ngjallur debate të zjarrta në Francë që kur presidenti Emmanuel Macron sugjeroi shumë shpejt pas fatkeqësisë që maja 96 metra e lartë e saj të zëvendësohej me diçka “ më bashkëkohore”. Sipas Macron, maja e katedrales së famshme ishte shtuar gjatë një rinovimi madhor në mesin e shekullit të 19-të nga arkitekti Eugène Viollet-le-Duc, dhe nuk ishte pjesë e origjinalit.
Ai madje pat thënë se Notra Dame mund të rindërtohej e të bëhej edhe më e bukur se përpara. Eksperti kryesor në vend mendon ndryshe dhe ndonëse e pranoi se presidentit i takon fjala e fundit, ministrja e re e kulturës, Roseline Bachelot, theksoi se ekziston një konsensus i gjerë mes publikut dhe specialistëve që kupola e kishës, të duket ashtu siç ka qenë.