Rritja e numrit të të prekurve me Covid-19 ka bërë që Inspektorati Shtetëror Shëndetësor të shtojë inspektimet në subjektet që kërkohet të marrin masa kundër përhapjes. Në njoftimin zyrtar për media ISHSH bën me dije se në 24 orët e fundit janë kryer 1499 inspektime duke e çuar totalin në 113 mijë që nga fillimi i pandemisë.

Gjatë 24 orëve të fundit është vendosur një numër rekord masash administrative, 400 gjoba ose pezullime aktiviteti. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën apel bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: Dezinfektoni ambientet; Kryeni ajrosjen rregullisht; Përdorni maska apo barriera mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët. Qytetarët të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Mbani distancën; Vendoseni maskën; Ruani higjienën personale”, thuhet ndër të tjera në njoftim.