Votimi i parlamentit me 106 vota pro, ka shkaktuar zemëratë te kryedemokrati Lulzim Basha. Ai u shfaq krah aleatëve të tij, ku tha se shefi i qeverisë ka shkelur Kushtetutën dhe se nga sot nuk është më kryeministër. Sipas Bashës, Rama po rrefuzon hapjen e listave.
Deklarata e Plotë:
Sot, Kuvendi gjysmak i Shqipërisë tregoi sërish, se nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, por është vetëm një çirak i interesave politikë të Edi Ramës. Interesi i qytetarëve sot u shkel me këmbë nga kryeministri në ikje dhe vartësit e tij. Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura. Listat janë të hapura vetëm nga fundi i tyre, sepse Edi Rama refuzoi propozimin tonë për të hapur listat 100% dhe për të mos prekur koalicionet.
Sot në kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën me këmbë ligjet, shkelën Kushtetutën. Ata shkelën me këmbë historinë tonë. Ata shkelën me këmbë konsensusin, të cilin u detyruan ta firmosin. Kurrë më parë në historinë tonë 30 vjeçare të pluralizmit, Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës.
Kurrë më parë në këto 30 vjet, rregullat për procesin zgjedhor nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet. Ato kanë qenë një produkt konsensual, pavarësisht situatave të rënda politike që kemi kaluar në 3 dekada. Kurrë më parë në 30 vjet, një kryeministër nuk ka vënë në mënyrë kaq brutale, interesin e vet personal, mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.
Rama kërkon të marrë peng Shqipërinë për të shpëtuar veten. Rama kërkon të marrë peng të ardhmen europiane të shqiptarëve për të ruajtur karriken e tij. Sepse siç ka bërë deri më sot, Shqipëria i është dashur Ramës vetëm për interesat e tij personale. Nuk do t’ia dalë!