Si asnjëherë më parë, të gjithë krerët e politikës shqiptarë janë bërë bashkë në rezidencën e mbasadores së SHBA-së, Yuri Kim. Bëhet e ditur se në takim kanë shkuar kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta, kreu i PD, Lulzim Basha, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Mësohet se takimi është në kuadër të Festës së Pavarësisë së Amerikës, e cila është në datën 4 korrik. Ndryshe nga vitet e tjera, për shkak të pandemisë së koronavirusit, këtë herë të ftuar do të jenë shumë pak persona. Burime të ‘Report TV’ bëjnë me dije se darka do të jetë shumë private. Ishte parashikuar të mbahej ditën e nesërme, por për arsye që ende nuk dihen takimi është zhvilluar sot.

Mësohet se darka do të jetë në ambient të hapur, ndërsa krerët e politikës shqiptare janë të shoqëruara nga bashkëshortet e tyre. Vitet e mëparshme kanë qenë të ftuar edhe shumë personazhë të fushave të tjera të jetës, si aktivistë e gazetarë.