Praktika e nxjerrjes së metaleve dhe gurëve të çmuar nga Toka daton qysh nga koha kur filloi të dokumentohej historia njerëzore. Pasuritë e çmuara të epokave të mëparshme janë dëshmi e teknologjisë së përdorur në ato periudha. Materiali na njeh me një operacion për nxjerrjen e mineraleve, të zbuluar kohët e fundit në shpellat nënujore të Meksikës. Studiuesit që u zhytën në shpella të errëta nën gadishullin Jukatan të Meksikës gjetën mbetjet e një operacioni të lashtë për nxjerrjen e mineraleve.
“Periudha parahistorike ende mban shumë mistere për studiuesit. Miniera është një nga ato zbulime që hap dyer dhe dritare për atë të kaluar të largët. Është e jashtëzakonshme ajo që gjetën këta eksplorues brenda këtyre pasazheve të përmbytura: dëshmi e minierave më shumë se 10 mijë vjet më parë“, thotë Roberto Junico, i Institutit Kombëtar të Atropologjisë dhe Historisë në Meksikë. Roberto Junico është Zëvendës Drejtor në Institutin Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë në Meksikë. Ai vlerëson studiuesit nga organizata CINDAQ, të cilët zbuluan një operacion për nxjerrjen e okërit që filloi 12 mijë-vjet më parë. CINDAQ është Qendra Kërkimore për Sistemin nëntokësor të Kuintana Ro, shteti meksikan ku ndodhet Kankuni.
“Na ka lejuar të fillojmë të kuptojmë disa nga dinamikat e këtyre shoqërive të lashta. Çfarë po bënin me këtë okër?”, pyet Roberto Junico. Okëri është një pigment natyral në ngjyrë mustarde, i bërë nga rërë ose argjilë e përzier me një oksid hekuri. Ngjyra dhe vetitë e tij e bënin atë popullor në atë kohë. “E përdornin atë për të pikturuar veten siç bëjnë disa fise afrikane sot. E përdorën edhe si ilaç, sepse okëri lufton bakteret. E përdorën atë edhe për simbolikë. Më pëlqen të mendoj se okëri ishte fillimi i manifestimeve të para artistike“, shpjegon Roberto Junico.
Studiuesit gjetën mjete si gurë të mprehtë dhe binarë të bëra me stalagmite. Ata eksploruan shtatë kilometra duke kryer më shumë se 100 zhytje për të gjetur këtë minierë të braktisur që ka të ngjarë të jetë mbuluar nga uji tetë mijë vjet më parë me rritjen e niveleve të detit pas Epokës së Akullnajave./VOA/