Palët politike në vend, janë përfshirë prej ditësh në një debat në lidhje me listat e hapura. Me kërkesë të opozitës jashtëparlamentare, mazhoranca ra dakord që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, listat e kandidatëve për deputetë të jenë të hapura për qytetarët. Nga ana tjetër, opozita jashtë parlamentare, ka mbajtur një qëndrim kundër. Por çfarë mendojnë qytetarët për përplasjet politike? Dritare.net pyeti Zeqo Hoxhën, një ish-këngëtar polifonie, që tani ka një bar në Kallarat. Ja çfarë thotë ai: Dritare.net: Në Kallarat merreni me lista të hapura dhe lista të mbyllura, apo nuk i intereson njeriu, keni halle të tjera? Zeqo Hoxha: Si nuk i intereson? Popull jemi edhe ne! Listat e hapura, i do populli.

Dritare.net: Po pse i doni listat e hapura, apo sepse jeni të majtë ju? Zeqo Hoxha: Jo, nuk ka rëndësi e majtë e djathtë. Ne duam ta dimë se kush është deputeti jonë. Se vjen një deputet nga Tirana, po vijnë të gjitha listat bashkë, ne duam një, ai që është për ne. Ne kemi probleme, hallet tona. Kujt do ia themi këto. Atij do i themi hallin, atij do i kërkojmë llogari. Ndërsa kështu, ai thotë njëherë çfarë halli keni edhe s’kthehet më ai. 4 vjet e ke këtu. Deputeti i zonës do vijë këtu, e bie zona, e bie vendi. Këtu është populli do listat të hapura, jo kë zgjedhin ata. Kjo nuk ka të bëjë, as të majtë as të djathtë. Kemi kërkuar shumë herë për tokat, se po na ikin të gjitha, i merr lumi. Tani ka filluar dhe rruga këtu, është zhvillim për ne. Mirëpo ato e kanë bërë kanalin, e kanë kthyer lumin nga arat tona, se po punojnë, dhe arat po ikin. Vjen dimri, del lumi dhe arat kanë ngelur nga 5 dynym në 1 dynym. Askujt nuk i intereson të bëjë një pritë, se kjo nuk është kundër erozionit, por kjo është se e çojnë vetë lumin atje. Për të ankuar nuk ke ku të ankohesh. Deputeti do na e çonte zërin. Tani nuk shkon zëri gjëkundi./dritare.net