Mazhoranca dhe opozita parlamentare e kanë bërë fakt të kryer tashmë miratimin e ndryshimeve kushtetuese që burojnë si pjesë e marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe grupeve të djathta në Kuvend. Në seancën e fundit Edi Rama përsëriti vendosmërinë për zbatimin e paktit në fjalë duk u shprehur se “30 korriku është kry”. Më herët ka qenë Këshilli për Legjislacionin në Kuvend ai që i ka hapur rrugë seancës së 30 korrikut, pavarësisht dëshirës së Partisë Demokratike apo LSI-së.
Kësisoj, vendimn pritet ta marrë po i njëjti Kuvend që për Ilir Metën është legjitim kur vjen puna për miratimin e “5 Qershorit”, por jo për ndryshimet në Kushtetutë. Sikurse është bërë e udhës, Presidenti ia ka kushtuar të gjithë muajin korrik kësaj çështje. Herë duke kërcënuar me shpërndarje të Kuvendit, e herë duke kërkuar referendum apo duke cituar Kushtetutën, por duke ‘harruar’ pikërisht nenin që parashikon rishikimin e ligjit themelor të shtetit.
Në nenin 177 të saj, Kushtetuta përveç përcaktimeve se kush i propozon ndryshimet dhe shumicën që kërkohet për t’i miratuar ato, shprehet qartë edhe për rolin e Presidentit në proces. Ligjërisht, Ilir Meta nuk ka asnjë rol për t’i refuzuar apo pranuar rishikimet e Kushtetutë.
Ndryshe nga rastet e ligjeve, ku presidenti e ka përdorur skrivaninë e tij për t’i kthyër shumicën e tyre, në rastin e Kushtetutës atij nuk i kërkohet madje asnjë firmë.
Neni 177 në pikën 6 të tij thotë se “Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës”.
Kjo do të thotë se hedhja e tij në sulm për këtë çështje është një shpërdorim i kotë që i bëhet atij nga PD dhe LSI. Apo në rastin më të mirë, një tentativë e kotë e Metës për të ndërhyrë në proces
RISHIKIMI I KUSHTETUTËS Neni 177
Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme. Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projekt amendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend.
Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.
Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë ligj. Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum
/JavaNews/ A.Rada