Nuk do të ketë fitues të Topit të Artë në vitin 2020 për shkak të gjendjes së shkaktuar në futboll nga pandemia koronavirus, ka njoftuar France Football. France Football – revista prestigjioze franceze që e ndan këtë çmim – ka thënë se nuk do ta ndajë këtë çmim për këtë vit sepse nuk ka pasur kushte mjaftueshëm të drejta për të vendosur se kush e meriton atë. Topi i Artë – çmimi më prestigjioz individual për futbollistë – është ndarë që prej vitit 1956. Fitues i tanishëm i këtij çmimi është Lionel Messi i Barcelonës, që vitin e kaluar e fitoi atë për herë të gjashtë rekorde në karrierë.
Megjithatë, për shkak të kushteve të jashtëzakonshme në të cilët po jetojmë sot, është vendosur se nuk është e drejtë ta zgjidhet futbollisti më i mirë në botë duke i marrë parasysh rrethanat në të cilat futbolli është duke u luajtur këtë vit. Kjo nënkupton se Messi do ta mbajë këtë çmim për edhe 12 muaj të tjerë. Messi dhe Ronaldo, portugezi i cili e ka fituar atë pesë herë në karrierë, pritej të ishin sërish në garë për këtë çmim këtë vit, por me konkurrencë të fortë nga Robert Lewandowski i Bayern Munich dhe Kevin de Bruyne i Manchetser City. Por kjo nuk do të ndodhë dhe ata duhet të presin edhe një vjet tjetër për këtë. France Football shkroi në uebsajtin e vet: “Në rrethana të jashtëzakonshme, në kushte të jashtëzakonshme. Për herë të parë në historinë e vet, e cila nisi më 1956, Topi i Artë nuk do të ndahet në vitin 2020, për shkak të mungesës së kushteve mjaftueshëm të drejta”