Në drejtoritë rajonale të Kadastrës Shqiptare janë hapur 23 vende pune për specialistë, inxhinierë ndërtimi, arkitektë, gjeoinformatikë, topografë, gjeodetë dhe ekonomistë. Në drejtorinë e Kadastrës Krujë janë 7 vende të lira, në drejtorinë Pogradec 5, në Gjirokastër 4, në Lezhë 7 vende. Duhen inxhinierë (ndërtimi, arkitektë, gjeoinformatikë, topografë, gjeodetë) dhe pak ekonomistë.
Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame ftoi të rinjtë të aplikojnë për këto vende pune dhe të bëhen pejsë e konkurseve, pasi sipas tij është vënë re se ata po refuzojnë punësimin edhe në bashkitë shumë afër Tiranës. “Drejtoria rajonale e Krujës, që në fakt është në Fush-Krujë për shkak se shumica e problematikave janë poshtë në fushë, është fare pranë Tiranës, le më pastaj Fush Kruja, që është gati periferi e Tiranës. Dhe të mos ketë djem e vajza që të duan të shkojnë deri atje për të punuar”, theksoi Lame.
Sipas tij, “është kollaj të bëhet ironi fejsbukjane me frazën e kryeministrit “punë ka, po s’ka profesionistë”, por është e vështirë ta hedhësh poshtë atë në shumë raste”. “Ej çuna, goca, jeta ka edhe të përpjeta. Nuk fillohet jeta direkt drejtor. Fillohet edhe si specialist i thjeshtë, pastaj pas disa vjetësh kur ke fituar eksperiencë bëhesh edhe shef sektori, e më pas po qe i aftë edhe drejtor. Po fillojeni një here”, u shpreh Lame.
Natyrisht, theksoi ai, që zanatçinjtë e fejsbukut do ju shkurajojnë me të thënën se konkurset janë farsë, se i fitojnë vetëm bijtë e partisë, po ju bëni tuajën, ejani dhe do ta shihni