Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit hedh poshtë akuzat e bëra nga Partia Demokratike, duke i konsideruar ato thjesht një përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar për të baltosur punën e vazhdueshme të institucionit të shumëbesuar nga qytetarët shqiptarë! E ndërkohë që “opozita” shqiptare kërkon me çdo kusht vëmendje mediatike thjesht për përfitime politike, fatkeqësisht nuk dha asnjë argument mbi arsyet e prokurimit të një prej projekteve më të rëndësishme të modernizimit të administratës publike, kaq i kërkuar nga komuniteti i biznesit, duke dalë hapur kundër interesit të tyre, vetëm e vetëm për të dalë në media ndonëse me akuza të rreme.
AKSHI ka detyrim të udhëheqë revolucionin digjital të Shqipërisë, të shërbimeve publike, të shërbimit të qytetarëve dhe të goditjes ndaj korrupsionit. Opozitës i kujtojmë se këtë punë e vlerësuan një muaj më parë dy organizatat më të rëndësishme dhe të besuara në nivel botëror, OKB dhe OECD, që e renditën Shqipërinë në vendin me qeverisjen digjitale më të mirë të rajonit duke lënë pas edhe vende anëtare të BE-së.
Opinioni publik duhet të dijë se nëpërmjet shërbimit të automatizimit dhe monitorimit të aktivitetit për inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të mundësohet automatizimi i të gjitha proceseve të punës së inspektorëve tatimorë, që nga dixhitalizimi i strukturës, ndarja e detyrave, ndjekja dhe gjurmimi i rasteve, gjurmimi i lëvizjeve të inspektorëve e deri te verbalizimi i inspektimeve dhe kundëvajtjeve. Nëpërmjet regjistrimit elektronik të çdo veprimi, sistemi do të evidentojë në mënyrë automatike ngarkesën e punës, duke ndihmuar vendimmarrjen e administratës tatimore për shpërndarjen e inspektorëve në terren;Do të evidentojë zonat problematike në lidhje me informalitetin dhe evazionin dhe do të gjenerojë raporte dhe statistika, që aktualisht janë shumë të vështira ose të pamundura për t’u realizuar.
Gjithashtu sistemi, duke u mbështetur në platformën qeveritare të ndërveprimit dhe duke marrë në mënyrë automatike informacionin e dobishëm nga të gjithë sistemet ekzistuese do të shkurtojë kohën e humbur duke mbledhur informacion nga inspektorët si dhe do të evitojë pasaktësitë e mundshme të informacionit të shkëmbyer në rrugë jo-elektronike, duke rritur për rrjedhojë efiçencën dhe saktesinë e punës së tyre. Po ashtu, duke qenë se çdo veprim do të lërë gjurmë, asnjë inspektor nuk mund të mbyllë një sy përpara shkeljeve dhe të pretendojë, që nuk i pa ato, instrument që do të ndikojë automatikisht në uljen e nivelit të korrupsionit deri në eliminimin e tij.
Është e qartë pra që ky shpenzim, ashtu sikurse të gjitha shpenzimet në fushën e inovacionit, jo vetëm që nuk mund të jetë shpërdorim, por përkundrazi është një investim që shumë shpejt do të kthehet mbrapsht duke na njohur me rezultate pozitive konkrete, që do të arrihen nga implementimi i këtij sistemi.
Ndryshe nga sa pretendohet në deklaratë, ky sistem jo vetëm që nuk ekziston prej vitit 2013, por nuk ka qenë i mundur të ndërtohej në vitin 2013, sepse bazohet mbi elemente të qeverisjes elektronike të ndërtuar në këto 7 vite; të njëjtët elemente që e klasifikojnë sot Shqipërinë të parën në rajon për qeverisjen elektronike sipas OECD, me 7 tregues nga 7 të realizuar dhe të 36-tën në botë sipas OKB, duke lënë pas vende nga më të zhvilluarat në botë si Zvicra, apo edhe shteti fqinj Italia.
Në lidhje me pretendimet mbi procedurën e tenderimit, Agjencia Kombëtare e Shoqerisë së Informacionit thekson se kjo procedurë ka qenë e hapur për 23 ditë në portalin e prokurimeve publike dhe asnjë operator nuk ka bërë ankesa mbi specifikimet teknike të sistemit apo mbi kriteret e kualifikimit.