Zoran Zaev i mandatuar për krijimin e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut i dërgoi të mërkurën (26 Gusht) parlamentit emrat e kabinetit qeveritar nga ku zëvendës kryeministri dhe 5 ministra do të jenë shqiptarë sikurse në 100 ditët e fundit të qeverisë kryeministri do të jetë shqiptar.
Në Kërcovë bastion i BDI i dërguari Topchannel Muhamed Veliu intervistoi liderin e partisë më të madhe të shqiptarëve, Ali Ahmeti. Zoti Ahmeti tregon për Top Channel se si u arrit marrëveshja për qeverinë e re. Ai thotë se të dyja forcat fituesve në zgjedhje hoqën dorë nga barrikadimet duke marrë në konsideratë të shkuarën. Ahmeti flet për prioritetet e qeverisë së re që nga respektimi i marrëveshjes së Ohrit, asaj të Prespës dhe marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.
Ahmeti thotë se duhet vetting në të gjithë shoqërinë e Maqedonisë së Veriut duke nisur nga ai i pari. “Kjo duhet të jetë e pashmangshme për të gjithë ata që janë në politikë dhe kanë mbajtur poste publike dhe duan të vinë në pushtet në rrugë të paligjshme”, thotë Ahmeti. Prioritet i qeverisë do jenë edhe përfundimi i autostradës Shkup-Qafë Thanë dhe Shkup-Prishtinë. Ai është pyetur edhe për ftesën nga gjykata e Hagës, por për më shumë ndiqni intervistën e plotë të zotit Ali Ahmeti i dha gazetarit Muhamed Veliu.
Intervista e plotë:
– Zoti Ahmeti, paraditen e sotme i mandatuari për themelimin e qeverisë së re, Zoran Zaev paraqiti parlamentit kabinetin qeverisës. Marrëveshja që arritët me zotin Zaev a ishte më e mira e mundshme?
“E mira dhe e keqja s’kanë fund. Mendoj që të gjitha palët kanë arritur të mundshmen, sepse nga kompromiset, nga debatet sjellin edhe rezultatet. Kjo ka qenë një kompromis se cila palë është tërhequr nga barikadimi dhe jemi përpjekur që të jemi të arsyeshëm, racional dhe të vëmë në radhë të parë interesat e shtetit, të vëmë në radhë të parë stabilitetin e vendit. Kemi patur parasysh edhe zhvillimet në rajon, vendi ynë gjithmonë për këto 20 vite ka bërë përpjekje që të jetë një shembull I mirë për funksionimin e marrëdhënieve të brendshme sepse jemi në një vend specifik ku ardhmëria e vendit varet se si do të ndërtohen raportet midis dy vendeve të mëdha shqiptar dhe atij maqedonas dhe kanë përgjegjësi morale dhe shtetërore që ti harmonizojnë dhe t’i bashkëkoordinojnë të gjitha veprimet strategjike me gjithë qëllimin e mirë që vendi të funksionojë dhe marrëveshjet të përparojnë, siç është marrëveshja e Ohrit, që drejtpërsëdrejti ka ndikuar në ndryshimin e statusit politik dhe juridik të shqiptarëve në këto hapësira. Ju e shihni edhe vetë që këtë intervistë e bëjmë përpara monumentit “Nëna shqiptare”, që ajo përkujton bijtë e vetë të rënë, të pjekur e të shtypur në shekuj, që përpara saj prehen mbi 2 mijë mbetje mortore dhe pikërisht ne kemi bërë atë të mundurën që së paku nëna shqiptare të mos derdh lot. Gjithmonë kemi parasysh të kaluarën, ajo e kaluar ka qenë tepër e dhimbshme, tepër tragjike dhe sit ë tillë duhet ta kujtojmë por ajo të mos na përsëritet. Gjithmonë ju kam thënë autoriteteve këtu, kolegëve të mi maqedonas, kujtoni të kaluarën sepse duke kujtuar të kaluarën nuk do të bëhen gabime në të ardhmen dhe mendoj se të gjitha palët jemi të kujdesshëm, ajo e kaluar të mos na përsëritet, por të ndërtojmë bashkë një të ardhme të sigurt jo vetëm ne, por të jemi kontribues dhe një shembull i mirë për të gjithë rajonin e Ballkanit këtu. Ballkan i cili për shekuj ka qenë i trazuar, me problem etnike, me luftëra të drejta e të padrejta dhe fundi, sot të gjithë bashkë të bashkuar duhet të jemi drejt një qëllimi madhor, që edhe vendi ynë edhe rajoni në përgjithësi ashtu siç është një pjesë e integruar në NATO, litari të jetë i bashkuar në BE, synimi dhe qëllimi përfundimtari yni është ky dhe popujt të jetojnë të qetë, të lirë dhe në paqe të përhershme, në respekt reciprok për njëri tjetri”.
-Falë vizionit tuaj 40% e qeverisë të re në Maqedoninë e Veriut do të jetë nën drejtimin e shqiptarëve, por a ka patur debate brenda BDI-së përsa i përket përzgjedhjes së ministrave shqiptarë.
“Unë jam një politikan që nuk jam ndërtuar nga ekranet televizive, unë jam një politikanë që jam ndërtuar në lëvizje guerile, në lëvizje revulicionare, për ndryshimin e statusit politik e kombëtar të shqiptarëve jo vetëm këtu, të shqiptarëve të Maqedonisë, port ë gjithë shqiptarëve në hapësirat e ish Jugosllavisë. Nuk jam trajtuar si politikan në kancelari dhe e njoh shumë mirë edhe ata të cilët që mund të kenë ndonjë pakënaqësi, I njoh mirë edhe reagimet e vërteta dhe të pavërteta. Ato të arsyeshme dhe të paarsyeshme dhe këtë liri unë e kam instaluar në bashkimin demokratik për integrim. Unë sot kam regjistruar përvjetorin e 24-të të fitores së partisë time Bashkimit Demokratik për Integrim. Ndonjë pakënaqësi edhe mund të ketë por është e menaxhueshme dhe e dakordueshme nga të gjitha palët. Ky subjekt politik në Maqedoninë e Veriut është investimi i shqiptarëve.
-Cilat duhet të jenë prioritet e kësaj qeveria për të ndryshuar gjendjen social-ekonomike jo vetëm të shqiptarëve por të gjithë Maqedonisë së Veriut?
“Si prioritet është respektimi i marrëveshjes paqësore të Ohrit, është respektimi I marrëveshjes së Prespës, respektimi I marrëveshjes me Bullgarinë, sepse këto tre marrëveshje na bënë me paqe, me stabilitet funksional, anëtar të NATO-s dhe do na bëjnë që së shpejti të jemi anëtar të BE-së. Në planin ekonomik jemi të vetëdijshëm që rajoni edhe bota po përballen me një krizë të thellë nga Covid, me pasoja të thella jo vetëm në shëndetin e njerëzve por edhe në ekonominë e vendeve, por kemi kuadro, ekspertë që të arrijmë sa me lehtësi, ta përballojmë dhe tejkalojmë këtë vështirësi në plan afatgjatë kemi përmbylljen e disa projekteve të mbetura përgjysmë siç janë infrastruktura. Prioritet për ne janë reformat në gjyqësi dhe ne kërkojmë që e pashmangshme të jetë vettingu, të kalojnë të gjithë politikanët, të gjithë njerëzit që kanë marrë pjesë në pushtet dhe kanë drejtuar degastere të ndryshme. Kjo duhet të jetë e pashmangshme për të gjithë ata që janë në politikë dhe kanë mbajtur poste publike dhe duan të vinë në pushtet në rrugë të paligjshme.
-Zoti Ahmeti ju e përmbyllët me sukses sfidën e zgjedhjeve të parakohshme ndërkohë që në shtator ju pret një tjetër sfidë. Ju do të shkoni në tribunalin e Hagës për t’u përballur me prokurorin special. A u surprizuat nga kjo ftesë për tu marrë në pyetje?
“Më tepër kam ndjerë dhimbje për të gjithë ata bashkëluftëtarë të mitë, të cilët tash edhe para 12 vitesh janë përballur me drejtësinë, sepse të gjitha ata që luftuan kundër një regjimi gjakatar. Por asnjëherë nuk jemi shmangur drejtësisë, asnjëherë nuk I jemi shmangur sundimit të ligjit”. Topchanel/