Nga Alfred Peza/

Nëse do duhet të zgjedhim se cili është debati më qesharak i viteve të fundit, i nxitur nga opozita e rrugës kundër mazhorancës, padyshim që flamuri i takon këtij të fundit për 12 miljet detare që Greqia do ia rrëmbeka Shqipërisë. Po shyqyr thoni që kemi Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, që na mbron gjithmonë për këto punë, se kushedi se çdo ndodhte tjetër e do na merte jo vetëm deti, por edhe lumi pastaj e kushedi ku do na çonte! Të gjitha debatet me temë nacionalizmin, janë sporti më popullor në Ballkanin ku gjithkush ngryset hero dhe gdhihet tradhëtar, por kjo e fundit i tejkalon ato padyshim. Jo vetëm thjeshtë për shkakun se na bën të kuptojmë sesa e vërtetë është shprehja se nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve. Por, edhe sesa të dëshpëruar janë për të bërë si vetja, këdo që i del përpara, vetëm e vetëm se në këto punët e tradhëtive të vërteta kombëtare duan shokë!

Për këtë mjafton që të sjell në mënyrë telegrafike, tri qëndrime të opozitarëve tanë, për të kuptuar anën tragjikomike të kësaj loje fake. I pari, është një ish ministër i Partisë Demokratike, i cili thotë se Edi Rama na i ka shitur gjithmonë interesat kombëtare, përfshirë edhe këtë të fundit për 12 miljet detare me Greqinë. Por…, shton ai, në stilin e papërsëritshëm spekullimor: “Mitsotakis, është një kryeministër me mentalitet europian, perendimor dhe bashkëpunes”! Opozitarë të dashur! Ndajeni mendjen tani: Ose detin ua ka marë Edi Rama, ose ua ka marë Greqia! Alternativë të tretë nuk ka. Sepse nëse ua paska dhënë Kryeministri i Shqipërisë, e ai na qënkërka “tradhëtar”, si mundet që të jetë në të njëjtën kohë kaq i kulluar për ju, Kryeministri i Greqisë që na i paska marë padrejtësisht këto 12 milje?!

Por mund të ketë një shpjegim të thjeshtë kjo idiotësi: Mitsotakis mund të jetë vërtetë ashtu siç thotë Partia Demokratike. Sepse Edi Rama as u ka dhënë, as u ka shitur dhe as nuk ka ndërmend ti japi asnjë centimetër tokë apo det, Greqisë apo ndonjë fqinji tjetër! Për rrjedhojë, e gjitha çfarë është thënë prej tyre edhe për Kryeministrin e Shqipërisë, është thjeshtë pjesë e një loje të pisët politike opozitare. E dyta, kur qenka bërë një gjëmë kaq e madhe nga shefi i mazhorancës, po si ka mundësi që i vetmi që nuk e ka thënë ende asnjë fjalë në të gjithë këtë histeri virtuale të radhës, është shefi i opozitës shqiptare?! Pse hesht Lulzim Basha? Apo keni harruar, që ai ka firmosur në emër të Shqipërisë me Bakojanis, një marrëveshje për detin në vitin 2009, në kohën e Kryeministrave Berisha-Karamanlis.

Atë marrëveshje të cilën, nëse e keni harruar sërisht PS e udhëhequr nga Edi Rama, e denononcoi në Gjykatën Kushtetuese dhe u rrëzua si antikushtetuese. Athina përfitone në të, plot 354.4 kilometra katrorë sipërfaqe ujore në detin Jon të Shqipërisë. Me firmën, miratimin dhe fushatën e paprecedentë mediatike të këtyre opozitarëve, që sot po bëjnë patriotin që po u digjet barku për detin. Dhe spekullimi i tretë opozitar, për këtë çështje fake, është ai kur thuhet se Presidenti I Republikës është kundër qeverisë për zgjerimin e Greqisë, sepse ai do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e 2009. “O tempora, o mores!” Kur PS e rrëzoi, Ilir Meta ishte Nr. 2 i qeverisë së Sali Berishës, që e mbronte atë. Ndaj, nuk mund të jesh sot kundër qeverisë së PS për këtë çështje, nëse je pro vendimit të Gjykatës Kushetetuese.

Lajmi i vetëm këtu, ishte se më në fund, pas 11 vjetësh edhe Ilir Meta paska ardhur tek qëndrimet e Partisë Socialiste. Ndaj ndajeni mëndjen se çfarë po thoni. Sepse Edi Rama edhe dje edhe sot, është kundër marrëveshjes së 2009. Ndërsa Ilir Meta, dje ishte pro, ndërsa vetëm sot tha që është kundër. Për të gjithë ata që duan të kuptojnë çfarë po ndodh në këtë çmenduri virtuale opozitare, mjafton të dijnë se Shqipëria, as do i japë, e as do i mari asnjë pëllëmbë ujë Greqisë. Pasi të dyja shtetet, marin vetëm atë që u takon për këtë çështje, sipas konventës ndërkombëtare të detit të vitit 1982. Ndaj, bëhuni gati pasi të mbueshen tri ditë spekulimesh, që të dëgjoni furtunën e radhës, në gotën opozitare të radhës!