Një thirrje për bashkatdhetarët tanë në Malin e Zi
Zgjedhjet e 30 gushtit janë një mundësi e re për shqiptarët e Malit të Zi që të dëshmojnë vullnetin dhe forcën e tyre politike. Mos e humbni atë mundësi.
Prandaj, ka shumë rëndësi që çdo shqiptar të dalë dhe të votojë atë ditë. Dhe vota e tyre të shkojë për një nga dy listat e partive shqiptare. Shqiptarët kanë punuar shumë në këto dekada që të përmirësojnë statusin e tyre, që të fitojnë të drejtat që u janë mohuar kolektivisht dhe si individë. Mirëpo, përpjekjet për drejtësi nuk mund të kenë sukses pa pjesëmarrjen e plotë në proceset demokratike.
Shqiptarët duhet të dëshmojnë fuqinë me numra. Sa më shumë deputetë të kenë në parlamentin e ri aq më shumë forcë do të kenë kur të hyjnë në bisedime me koalicionin fitues. Pa asnjë dyshim, një pjesëmarrje e madhe në votime do të përcaktojë fatin tuaj për të ardhmen. Sa më shumë deputetë shqiptarë aq më mirë për komunitetin shqiptar, madje edhe për vetë Malin e Zi. Megjithë thirrjet nga diaspora, dy listat shqiptare nuk u bashkuan në një front të vetëm. Mirëpo, ata përsëri mund të formojnë një grup të përbashkët deputetësh pas zgjedhjeve e të negociojnë së bashku. Bashkimi bën fuqinë, thotë një shprehje e lashtë shqiptare.
Prandaj dilni dhe votoni për listat shqiptare këtë 30 gusht. U thoni edhe familjarëve dhe miqve – u thoni të gjithëve – që të dalin e të votojnë. U thoni edhe përfaqësuesve që do të zgjidhen që të bashkohen. Sa më i lartë rezultati, sa më të bashkuar të jeni, aq më të lehtë do ta kemi që t’ju mbështesim nga diaspora, përfshi edhe duke lobuar, në Washington Jemi me ju, me mendje dhe zemër.
Harry Bajraktari
Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat si dhe Çmimin nga Shtëpia e Bardhë “Thirrja e Presidentit për Shërbim”.