Turistët e huaj nuk do të lejohen të shkojnë në Bali para fundit të vitit 2020 në mungesë të përmirësimit në frontin e koronavirusit, njoftoi guvernatori i ishullit indonezian duke hequr dorë nga projekti i tij për të rihapur “ishullin e zotave” për turizmin ndërkombëtar muajin e ardhshëm.
“Situata në Indonezi nuk është mjaft e favorshme për të lejuar turistët e huaj të vizitojnë Indonezinë, duke përfshirë (…) Balin”, theksoi guvernatori i ishullit Wayan Koster në një dokument zyrtar.
Bali ka rihapur plazhet, tempujt për vizitorët indonezian që nga fundi i korrikut dhe autoritetet lokale kanë njoftuar planet për të mirëpritur turistët e huaj përsëri nga 11 shtatori.
Por, ky projekt ishte hartuar para valës në rritje të rasteve me COVID-19 të regjistruara në Indonezi dhe para kufizimeve në fuqi për udhëtimet në disa vende.
Xhakarta ka ndaluar që prej fillimit të prillit hyrjen në Indonezi për turistët e huaj.
“Qeveria qendrore mbështet projektet e Balit për të rihapur portet për turistët ndërkombëtarë. Megjithatë, kjo kërkon një kujdes të madh, durim dhe nuk duhet të përshpejtohet”, shtoi guvernatori i Balit.
Zyrtari nuk ka dhënë një datë të re për hapjen e ishullit për turizmin ndërkombëtar.