Drejtoria e Bujqësisë në bashkinë Maliq të qarkut Korçë, po mbështet fermerët e zonës, jo vetëm në drejtim të rritjes së prodhimit bujqësor por edhe certifikimit të këtij prodhimi me markën e cilësisë, duke i bërë produktet tradicionale të Maliqit, konkurruese në tregun vendas dhe atë të huaj. Krahas fasules pllaqi, patates, mollës edhe vera, janë kulturat që e avantazhojnë qarkun e Korçës të konkurrojë denjësisht në eksportet bujqësore në tregjet e huaja.
Drejtori i Bujqësisë në Maliq, Arben Dulellari i tha ATSH-së se, “në kuadër të programit të BE-së, bashkia Maliq po bashkëpunon për më shumë se një vit me projektin italian për certifikimin e disa prodhimeve tradicionale të zonës, sipas standardeve europiane”.
“Me përfaqësues të projektit Italian “Sviluppo Umbria” jemi duke përfunduar procesin e certifikimit të produkteve në dy kantinat e prodhimit të verës në Maliq, “Kinolli” dhe “Ceci” që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fshatin Drithas, Njësia Administrative Libonik dhe në fshatin Gurishtë,Njësia Administrative Pirg”- thotë Dulellari. Sipas tij, sipërmarrësit e këtyre dy kantinave, pas një pune të gjatë nën këshillimin e ekspertëve italian, kanë arritur të prodhojnë verë cilësore sipas standardeve që kërkon tregu i huaj.
Sipërmarrësit e verës, kanë arritur të shtojnë sipërfaqet me vreshta në sajë të mbështetjes nga Skema Kombëtare dhe kanë bashkëpunuar me projektin italian në drejtim të implementimit të teknologjive të reja të përpunimit të rrushit, për prodhimin e verës cilësore me qëllim eksportin e saj fillimisht në Itali e më gjerë.