Nga Alfred Peza/
Me arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re me LSDM-në e Zoran Zaevit, Ali Ahmeti e ka ngjitur edhe një shkallë më lart, stekën politike në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët do të kenë këtë radhë, jo vetëm më shumë vende deputetësh në sallën e Parlamentit në Shkup bashkë me postin e Kryeparlalemtarit Talat Xhaferi, por edhe më shumë peshë specifike në qeverisjen e vendit.
Por më shumë sesa pozitat e zv. Kryeministrit të parë në qeveri dhe portofoleve të rëndësishme të ministrit të Jashtëm dhe të Financave, ka rëndësi diçka tjetër. E cila e bën shumë më të madhe sesa duket sot, suksesin e arritur nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim në veçanti dhe të kryetarit të saj, në veçanti.
Vitin e ardhshëm, mbushen plot 20 vjet nga fillimi i një epoke te re, përsa i përket pozitave të shqiptarëve në shtetin fqinj. Ka qenë 22 janari i vitit 2001, kur nisi konflikti i armatosur i Ushtrisë Çlirmitare Kombëtare (UÇK) dhe Ushtrisë Maqedonase (ARM) e cila shënoi pikën e madhe të kthesës, që detyroi palët të arrinin më 12 nëntor të atij viti, Marrëveshjen e Ohrit. Platforma bazike, mbi të cilën nisi realizimi në praktikë, i të drejtave të mohuara të shqiptarëve.
Ali Ahmeti atëherë ishte me uniformën e kamuflazhit të luftëtarit të lirisë, ndërsa sot pas 20 vjetësh, me kostumin e njërit prej liderëve më të rëndësishëm politik të Maqedonisë së Veriut. Vendit që sot është anëtar i NATO dhe që pret të mësojë datën, për çeljen e negociatave për anëtarësim të plotë, në Bashkimin Europian.
As Ali Ahmeti pasi zbriti nga malet për të hyrë në selinë e partisë së tij të re në Tetovë, nuk mund ta ketë parë as në ëndrrën e tij më të bukur, atë që ai arriti të firmosi sot në Shkup me Zaev. Njeriu që udhëhoqi “revolucionin” e armatosur të 2001, ka treguar se i ka të gjitha potencialet sot si lider politik, për të udhëhequr fazën e re të një “revolucioni” për pozitat e shqiptarëve në Maqedoni. Këtë radhë me mjete demokratike, politike dhe elektorale.
Shumëkush nga kundërshtarët e tij politikë ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe mediat e tyre, e kanë kritikuar Ali Ahmetin sot, se përse nuk e mbajti premtimin e fushatës elektorale, për një qeveri të re me Kryeministër Shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mbështetësit e tij, e kanë justifikuar, me faktin se në 100 ditët e fundit të kësaj qeverie të sapo dakordësuar, kryeministri që do të përgatisë zgjedhjet e ardhshme, do të jetë shqiptar.
Edhe kjo është një arritje e madhe më vete, në raport me pozitat e deridjeshme politike të shqiptarëve. Por më shumë se sa kaq, ajo është një mundësi e papërsëritshme, për të hedhur një hapi të ri. E cila duhet shndërruar në një objektiv konkret, për ta bërë vërtetë realitet ëndrrën, dëshirën dhe premtimin e Ali Ahmetit për një Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Ta kesh të garantuar që sot, se qeveria kujdestare e procesit të ardhshëm zgjedhor do të drejtohet për 100 ditë nga një kryeministër shqiptar, do të thotë shumë. Kurrë më parë në historinë e Maqedonisë, shqiptarët nuk kanë qenë në këtë pozicion komod. Në 100 ditët më të rëndësishme të procesit të ardhshëm zgjedhor, ata do kenë për herë të parë në histori edhe Nr. 1 dhe Nr. 2 të pushtetit në Shkup. Edhe Kryetarin e Parlamentit, edhe Kryeministrin e vendit.
Ndaj, ajo që nuk u arrit këtë radhë, është shumë e mundëshme, që të arrihet pas 4 vjetësh. Por që shqiptarët të ia dalin, për të patur Kryeministrin me mandate të plotë 4 vjeçar në zgjedhjet e ardhëshme, duhet të fillojnë të punojnë që sot. Duke u bërë të gjitha partitë, të gjithë liderët dhe të gjithë shqiptarët, bashkë. Vetëm kështu do të maksimizojnë edhe votën edhe peshën e tyre politike. Kurrë më parë në historinë e post Jugosllavisë, shqiptarët nuk kanë qenë më pranë kësaj mundësie, sesa çdo të jenë në zgjedhjet e ardhshme.
Koha për të punuar, për realizimin me sukses të këtij “revolucioni” të butë të nisur nga Ali Ahmeti, është tani. Pjesës tjetër të faktorit politik shqiptar, i mungon sot, një mendje e bukur si ajo e Arbën Xhaferrit. Por të gjithë sëbashku, kanë shumë here më tepër potenciale, për këtë fitore të re. E cila 20 vjet më parë, as që mendohej, e jo më të tentohej!