Është dita e së vërtetës për Interin. Nga biseda midis Steven Zhang dhe Antonio Conte do të kuptohet nëse “martesa e stuhishme” mes trajnerit nga Lecce dhe klubit zikaltër mund të vazhdojë. Presidenti i dha vetes një “mision të pamundur”, pasi Suning shprehu shqetësim të madh për bilancet financiare, ngaqë paguan dy trajnerë njëherëzi: Spalletti, me 9 milionë euro dhe Conte, me 12 milionë euro në sezon.
Nëse duhet të afrojë Massimiliano Allegri, do të paguajë për të më pak se 8 milionë euro në vit. Jo vetëm për këtë arsye, Zhang do të përpiqet të shpëtojë një marrëdhënie të copëtuar. Divorci, përveçse nuk kuptohet e mbështetet nga shumica dërmuese e tifozëve zikaltër, do të kishte pasoja të pashmangshme ndaj skuadrës që, në finalen e “Europa League”, u shfaq si një orkestër e vetme me trajnerin e saj.
Situata do të ndryshonte nëse Conte do të bënte një hap prapa, por është e vështirë të mendosh që ai të japë dorëheqjen, duke hequr dorë nga një mal parash dhe ambicia për t’i rrëmbyer titullin Juventusit në sezonin e ardhshëm. Piero Ausilio futet në këtë “fotografi” tashmë të ndërlikuar, të hijeshuar nga zbarkimi i Marotta tek Interi, i lidhur me një marrëdhënie nderimi të madh me Zhang, që e zgjati kontratën e tij deri më 2022, megjithëse raporti midis drejtorit sportiv dhe Conte ishte nën zero.
Presidenti mund ta gjejë veten të detyruar të zëvendësojë dy figura kryesore në fushën teknike, trajnerin dhe drejtorin sportiv. Pra, ideja e fundit ka lindur në këto ditë mjaft frenetike: të punësojë Gianluca Petrachi, aktualisht pa ekip, pas përvojave të tij në Romë dhe Torino, ose një drejtor sportiv, që e lidh një miqësi shumë e forte me Conte. Mund të jetë kjo zgjidhja “deus ex machina”, që trajneri e kërkoi, pasi denoncoi faktin se ndjehej pak i mbrojtur gjatë sezonit. /Telesport