Drejtori ekzekutiv i TikTok, Kevin Mayer ka dhënë dorëheqjen pas vetëm dy muajsh në detyrë, në prag të skadencës së ultimatumit të dhënë nga presidenti amerikan, Donald Trump. Kompania në pronësi kineze, është akuzuar se përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare nga administrata Trump. Mayer iu bashkua TikTok pasi u largua nga detyra e tij si shef i shërbimit streaming të Disney-t. TikTok-ut iu dhanë 90 ditë kohë për finalizimin e shitjes te një kompani amerikane, në rast të kundërt do të ndalohet në SHBA.
“Javët e fundit, ndërsa ambienti politik ka ndryshuar rrënjësisht, unë kam reflektuar thellë në atë që ndryshimet strukturore do të kërkojnë dhe ajo se çfarë do të thonë ato për rolin global, për të cilin unë pranova kontratën”, tha Mayer në një letër drejtuar punonjësve. “Në këto rrethana, e ndërkohë që presim gjetjen e një zgjidhjeje shumë shpejt, me zemër të rënduar unë ju bëj të ditur se kam vendosur të lë kompaninë”, shtoi Mayer.
Si TikTok ashtu edhe aplikacioni kinez i mesazheve, WeChat, përballen me ultimatume në SHBA, ndërsa tensionet rriten mes Uashingtonit dhe Pekinit në lidhje me një varg çështjesh të rëndësishme, përfshirë shqetësimet për sigurinë kombëtare nga kompanitë teknologjike kineze.