Kanë kaluar 33 vite që nga koha kur filmi “Taulanti kërkon një motër” u shfaq për herë të parë, ama personazhet e vegjël e të mëdhenj askush nuk i ka harruar, bashkë me batutat. Nëqoftëse, Taulanti, që në të vërtet quhet Donald Kokona, ka dhënë shpesh intervista, Ola, ose Sabiela Agushin, siç quhet ajo në të vërtetë, nuk e kemi parë askund tjetër që nga koha e rolit të vajzës me fustanet me fruda dhe faqet buçko. Ky ishte roli i saj i vetëm, por ia arriti t`i bënte për vete të gjithë, edhe pse nuk ishte një rol protagonist. Sot Sabiela është një zonjë. Ne e kemi gjetur dhe ajo na ka rrëfyer në një intervistë rolin kur ishte e vogël, por edhe jetën e saj të mëvonshme. Çfarë bën dhe ku jeton? Sabiela na i ka treguar për herë të parë në këtë intervistë.
Si u përzgjodhe ti për rolin e Olës, që edhe pse jo kryesor, ne nuk e kemi harruar edhe pas shumë vitesh. Unë atëherë shkoja në kopshtin 54. Aty erdhën të kinostudios dhe kërkonin djem për një rol djemsh. Shumica e fëmijëve qanin, kishin frikë. Unë po i shikoja dhe më bënë përshtypje, i thashë: “O xhaxhi, ta provoj dhe unë atë rolin”. Njëri nga ata më tha: “Po ça do bësh ti?” “Do bëj gjasme ky lapsi është i imi”, i thashë dhe kështu filluam improvizimin. “Ma jep mua këtë lapsin se është i imi.” Ai më tha: “Nga e di ti që është i yti?”, “Se e kam kafshuar këtu te koka dhe e njoh që është i imi”, i thashë. Ata ngelën të çuditur që isha aq direkte dhe thanë, ok, po kërkonim një djalë, por po e marrim këtë gocën me vete. E mbaj mend si të ishte dje. Pastaj na çuan te Pallati i Pionerëve. Ishte një sallë me shumë fëmijë, nga të gjitha kopshtet dhe aty bënë sërish një përzgjedhje. Më tej s`mbaj mend.
Sa vjeç ishe? Isha pesë vjeçe. Njihje ndonjë nga fëmijët në xhirim? Jo nuk njihja asnjë nga ata fëmijët. Kontaktin më të madh e kisha me Donaldin, pra Taulantin. Ne filmin e kemi parë plot herë. Ia dimë batuat përmendësh. Kuriozë jemi të dimë çfarë ndodhte në sheshxhirim, ku ne nuk shihnim gjë. Unë nuk dija shumë, ama Donaldi kishte luajtur edhe një film tjetër. Më duket se edhe babai i Donaldit punonte në kinostudio dhe ishte më i zhdërvjellët. Unë bëja ç`më thoshte Donaldi. Kishim një edukatore që merrej me ne kur shkonim në Kinostudio. Shumë herë i fshiheshim asaj dhe ajo mundohej duke na kërkuar. Kurse tek skenat mbaj mend atë që shkojmë për të blerë akullore, që i jap unë lekët e mia. Ishte skena që vetëm unë do blija dhe Taulanti, jo. Ai më tha: “E bëjmë keq skenën dhe hamë akulloren”. Që të përsëritej skena derisa ta bënim mirë. Pastaj teta Xhanfizeja tha që t`i bënim ca prova me kaush bosh.
Sa të mësonim skenën. E bënim mirë më kaush bosh, sapo merrnim akulloren e bënim sërish keq. E kuptuam që e kishim nga akullorja dhe na dhanë gjithë kazanin, të hanim të plasnim. Atë ditë kemi ngrënë aq shumë… gjithë kazanin. Meqë në film ishit shokë të ngushtë, a u bëtë shokë edhe realitet? A mbajtët kontakte më vonë? Po tani që jeni rritur? Flisni, takoheni? Jo, me Donaldin pas xhirimit të filmit nuk kam pasur shumë kontakt. Vetëm me raste të rralla jemi takuar. Herën e fundit tek një emision që bëhej për Xhanfize Kekon në Top Channel, në shkurt të 2010-ës. Si silleshin “mamatë” me ju, Roza Anagnosti apo Yllka Mujo? Me thënë të drejtën, Rozën e mbaj mend, kurse Yllkën s`e mbaj mend shumë. Mbase se nuk kam pasur shumë skena. Mbase dhe ato që kemi bashkë, do jenë bërë më ngjitje. Roza ishte shumë e dashur.
Po “baballarët”? Ti me kë arrite të krijoje marrëdhënie më të ngushtë? Viktor Zhustin e mbaj mend, kur kemi xhiruar skenën te kamioni. Ai, shumë shakaxhi. Kurse babain tim në rol, s`e mbaj mend shumë. Mbase se s`kishim shumë skena të përbashkëta. Nuk është se krijuam ndonjë marëdhënie. Xhanfizenë e mbaj mend mirë. Me atë qëndronim gjatë. Na mësonte. Si menaxhoheshin aq shumë fëmijë? Kush ua mësonte batutat? Rrinim me edukatoren dhe ajo na mësonte tekstet përmendësh. Pastaj Xhanfizeja na mësonte intonacionin. Si duhej të luhej roli, na e mësonte ajo. Batutat kanë qenë të gjitha pjesë e skenarit dhe ne i mësonim shpejt përmendësh. Kush ju vishte? Ishin fustanet e tua apo të Kinostudios? Kjo ka qenë pjesa më e dhimbshme e imja. Se unë në atë kohë nuk e kuptoja. Rrobat i kisha të gjitha të miat, sepse mamaja ime m`i bënte me prerje. Fundit, trikon bojëqielli, i kisha të miat. Mirëpo kisha shumë qejf të vishja të kinostudios. Zihesha shumë në kinostudio, qaja. “Përse nuk m`i jepni mua t`i vesh këto rrobat”, i thoja atyre atje. Edukatorja më mbushte mendjen duke më thënë se të miat ishin më të bukura, por s`më bindte.
Ne të gjithë të njohim si Ola e Taulantit. Për sa kohë të mbeti ky emër? Ata që s`më njohin thonë gjithmonë “U Ola”. Edhe kur dëgjoj që thërrasin ndonjë gocë Ola, kthej kokën, më duket sikur më thërrasin mua. Po batuta që më është përsëritur vazhdimisht është: “Po dhe unë më e bukura në botë jam dhe motra jote mua do më ngjajë”. Batuta jote “është duke i japur qumësht bebit” ka mbetur e paharrueshme. Ishte e folura jote apo ishte pjesë e skenarit? Ashtu më doli e folura ime dhe ata e mbajtën. Bëmë edhe skena të tjera, por kanë përzgjedhur këtë skenë.
Pse nuk të pamë më në ndonjë film tjetër? Nuk të pëlqeu aktrimi? Nuk është se s`më pëlqente aktrimi, por familjarët e mi nuk kishin dëshirë që unë të merresha me aktrimin. Mendova më vonë të studioja për regjizurë, juridik (si çdo shqiptar) dhe inxhinieri po gjithmonë kisha mendimin që s`kisha dëshirë të qëndroja në Shqipëri. Doja ose në Itali, ose në Gjermani, ose në Amerikë. Vendosa Gjermaninë dhe e bëra këtu juridikun dhe jam shumë e kënaqur me zgjedhjen që kam bërë.
Na trego diçka për veten, ne kemi shumë dëshirë të të njohim Tani jetoj në Gjermani, në Mynih. Kam punuar si avokate. Kam ndjekur disa çështje të rëndësishme, përgjithësisht me mbrojtjen e të drejtave të familjeve. Po këtë kapitull e kam mbyllur dhe punoj si juriste në Bashkinë e Mynihut. Në jetën personale jam e martuar. Bashkëshortin e kam gjerman me origjinë turke. Pra, ke një jetë e një karrierë të ndërtuar jashtë Shqipërisë. A kthehesh këtu? Po vij shpesh. Minimumi 2 herë në vit. E famshme me vetëm një rol. E ke menduar më filmin? Për shembull, të luash në një tjetër film, tani që je e rritur? S`e di. S`e besoj, por kurrë mos thuaj kurrë./Tema