Muaji Korrik ka përmirësuar disi situatën në buxhetin e shtetit, duke frenuar rënien e madhe që shkaktuan muajt e karantinës në kahun e mbledhjes së të ardhurave.
Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, gjatë Korrikut tatimet dhe doganat kanë mbledhur 295 milion euro taksa, me një rënie prej vetëm 14 milion eurosh krahasuar me Korrikun e vitit të kaluar.
Në Mars, Prill dhe Maj rënia ishte dyshifrore, ndërsa për Qershorin 8.4%, duke u reduktuar në 4% në fund të Korrikut.
Pavarësisht kësaj, pandemia ka shkaktuar një dëm total për të gjithë vitin në buxhetin e shtetit prej 262 milion eurosh, ndërsa defiçiti është rritur me 700% krahasuar me një vit më parë.
Qeveria ka rritur shpenzimet për shëndetësinë dhe paketat e ndihmave, ndërsa të ardhurat nga taksat u reduktuan gjatë pranverës, duke bërë që shumica e financimeve të paketave të kryhet përmes huamarrjes.
Defiçiti buxhetor për 7 mujorin e këtij viti është 396 milion euro, duke u barazuar me të njëjtin nivel të vitit 2013-ë, ndër më të lartët e një dekade.