Në Elbasan po ndërtohen 6 vepra ujësjellësi, të cilat do të përmirësojnë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje sesi ka qenë gjendja dhe se çfarë pune po bëhet për ndërtimin e këtyre ujësjellsëve.
“Rrjeti i ujit të pijshëm në Elbasan me një rrjet 60-vjeçar sjell në çezma 9 – 12 orë në ditë ujë dhe në zonat informale të zhvilluara pas viteve 90’ furnizim gjysmë ore deri në 2 orë ujë nga depot e ujit ndërtuar 5 dekada më parë”, – theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “sot po ndërtohen 6 vepra ujësjellësi për një nga qytetet tona më të mëdha, ku janë realizuar 32% e punimeve për 133.8 km rrjet shpërndarës për 24 orë ujë në ditë”.
Qeveria qendrore për vitin 2019 ka shpenzuar një fond investimesh në sektorin e ujësjellës kanalizimeve prej rreth 35 milionë euro, nga të cilat rreth 300 milionë lekë në mbështetje të reformës në sektor.