Gazetarja Rudina Xhunga, duke folur në Skype në “Neës 24” nga fshati Vajzë i Vlorës, u shpreh se njerëzit kanë nevojë ndonjëherë që të clirohen nga Tirana apo zhurma e qyteteve për të shkuar në fshat.
Xhunga tha se qytetarët duhet që t’i kthehen agro-turizmit, duke zhvilluar vendin e tyre të origjinës.
“Jam në fshatin Vajzë të Vlorës. Njerëzit duhet që të ikin nga Tirana ndonjëherë, sepse pandemia në kryeqytet ndihet më shumë. Këtu thuajse asgjë nuk të kujton pandeminë. Lumi i Vlorës është Shqipëria sekrete. Nuk është vetëm jugu, por është gjithë shteti ynë kaq i mrekullueshëm. Duhet të kthehemi tek turizmi, tek fshati, tek bujqësia, tek blegtoria.
Kemi nevojë për vend më të qeta. Qytetarët t’i drejtohen agro-turizmit. Kam parë respekt nga banorët këtu. Këtu kam afër Amantian. Ne na mungon shumë të qenit krenar për tokën, shtëpinë, për mundësinë për zhvillim. Na duhet pak qytetari”, tha Xhunga.
Më tej, Xhunga shpjegoi në hollësi si është të rrish për pak kohë në fshatin Vajzë, duke thënë se po zhvillohet edhe turizmi i staneve.
“Fshati Vajzë është larg pandemisë, larg zhurmës. Por kur vjen këtu nuk duhet të rrish duarkryq, duhet të punosh kopshtin etj. Do të ndërtohen rrugë dhe duhet ta duam më shumë vendin tonë. Fshati na kujton fëmijërinë. Duhet të punojmë dhe të ngremë biznese në vendin tonë. Nuk kalohet jeta duke sharë, e vetmja mënyrë është duke dashur Shqipërinë. Natyra na shërben për të mbajtur veten në formë. Zhvillimi i staneve është i rëndësishëm për turizmin”, deklaroi Xhunga.