Tre koncerte të muzikës ‘pop’ me spektatorë po organizohen qëllimisht në Gjermani për të mundësuar që shkencëtarët të studiojnë rreziqet e eventeve masive dhe përhapjen e koronavirusit gjatë pandemisë. Rreth 4,000 vullnetarë të shëndetshëm të moshave 18 deri në 50 vjeç do të nënshkruajnë për pjesmarrjen në eksperimentin e sotëm në Leipzig, që organizohet nga universiteti i Halle. Kantautori i ri vendas Tim Bendzko ka pranuar të performojë në të treja koncertet.
Studimi po kryhet pasi Gjermania regjistroi së fundmi numrin me të lartë të infeksioneve me Covid-19 që prej fundit të prillit. Më shumë se 2,000 raste të reja u identifikuan në 24 orët e fundit duke e çuar numrin total të rasteve në 232,082, sipas institutit Robert Koch.
Kërkuesit thanë se studimi i koncerteve po kryhet për “hetimin e kushteve në të cilat evente të tilla mund të organizohen, megjithë rrezikun e pandemisë”. Shkencëtarët kanë planifikuar tre skenare të ndryshme me 4,000 vizitorët në sallën Quarterback Immobilien Arena, në Leipzig.
Në të parën do të simulohet eventi në kushtet para pandemisë, në të dytin me rritje të higjenës dhe distancimit social, dhe në të tretin me gjysmën e kapacitetit dhe me çdo person që qëndron 1.5m larg njëri-tjetrit. Në çdo skenar do të simulohet gjithashtu hyrja dhe dalja nga stadiumi me performanca nga Tim Bendzko “për të përshkruar sjelljen e spektatorëve në mënyrë sa më realiste të jetë e mundur”.
Të gjithë pjesëmarrësit po testohen për Covid-19, u jepen maska fytyre dhe mjete gjurmuese për të matur distancimin e tyre. Studiuesit po përdorin dezinfektantë ndriçues për të zbuluar se cilat sipërfaqe preken më shumë nga pjesëmarrësit, dhe po monitorojnë piklat e shpërndara në ajër me frymëmarrjen, si një mënyrë e mundshme për transmetimin e virusit.
Projekti është financuar me 990,000 euro nga landet e Saxony-Anhalt e Saxony me qëllim gjetjen e rrugës për rihapjen e eventeve të mëdha sportive e muzikore. “Pandemia ka paralizuar industrinë e eventeve prandaj është e rëndësishme të zbulojmë kushtet teknike të minimizimit të riskut,” tha ministri i shkencës së Saxony-Anhalt, Prof Armin Willingmann.