Nga Katerina Marku*
Pandemia na ka vendosur përballë një situate të pazakontë, por jo të pandodhur më parë.
Përgjatë këtyre muajve gjithësecili prej nesh e ka ndryshuar stilin e jetës, duke shtuar kujdesin ndaj vetes dhe të afërmve si pasojë e përballjes së përditshme me pasigurinë e të “panjohurës”. Në fakt kjo pandemi na rikujtoi atë që shpesh harrojmë (prirja hedonike): Asgjë nuk është e mirëqenë dhe nuk duhet ta mendojmë si të tillë. Gjithҫka na rrethon është një zinxhir i përbërë nga shkak-pasoja, të cilat i neglizhojmë në të përditshmen tonë, derisa vjen një moment ku nuk kemi më nga të “fshihemi”, veҫse të përballemi me efektin domino.
Sot që flasim, në mbarë botën po lobohet ngultazi me slogane të tipit “normalitet i ri” apo “ndërto më mirë”, si një nevojë e qënësishme për të menaxhuar dhe përballuar më mirë situata të ngjashme në vazhdim.
Zhvillimi i qëndrueshëm është një term që përdoret në kontekstin e zhvillimit fizik, biologjik dhe social, lidhur ngushtësisht mes tyre, në kerkim të një perspektivë më të gjerë se si duhet të zhvillojmë komunitetet tona.
Sipas një studimi të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2050, rreth 68% e popullsisë së botës do të jetojë në zonë urbane. E përkthyer ndryshe, më shumë nevojë për shërbime, qarkullim, konsum etj. Pra, rrjedhimisht nevojë për planifikim të mirëstudiuar që vendosin shëndetin njerëzor dhe impaktin mjedisor në thelb të procesit të planifikimit, si dhe zhvillimin adapt të hapësira të përbashkëta, për të lejuar ofrimin e shërbimeve dhe vendosjen e standardeve të nevojshme, që gjejnë zbatim praktik me efekt pozitiv.
Ҫdo makro, përbëhet nga mikro, e mikrot në këtë rast jemi ne me gjurmët tona të përditshme që përkthehen në një impakt specifik. Siҫ është dhe vetë energjia, asgjë nuk humbet por vetëm transformohet. Ajo ҫfarë është në dorën tonë është produkti final i këtij transformimi, pozitiv apo negativ?!
Ne si qenie humane jemi pjesë e natyrës dhe aktiviteti që kryejme është një kategori e veçantë kundrejt dukurive të tjera natyrore. Praktika në fakt po tregon që ky aktivitet i keqmenaxhuar në shumë drejtime të tij, është faktori kryesor që po dëmton balancën ekologjike, duke e ҫuar drejt pasojave të pakthyeshme e duke harruar sa të ekspozuar jemi ne vetë ndaj ҫdo efekti negativ kudo që te ndodhemi.
Faktorët natyrorë dhe shoqërorë të mjedisit janë ndikues të drejtpërdrejtë në jetën tonë. Ata janë një kusht thelbësor për të përcaktuar zhvillimin fizik, mendor, intelektual, psikologjik dhe vetë mënyrës tonë të jetesës. Sado të jemi të fokusuar në garat e mendjeve tona, duke kërkuar më të mirën e asaj që mund të realizojmë, nuk duhet të neglizhojmë kurrsesi në thelb vlerat e natyrës si aseti më i rëndësishëm që kemi.
Ne nuk jemi përgjegjës vetëm për jetuar cilësisht jetët tona por dhe të sigurojmë të ardhmen e brezave pasardhës, duke rikthyer përkushtimin ndaj së mirës të përbashkët.
Më së miri ma përmbyllin mendimin fjalët e Paolo Giordano: “Kam frikë të zbuloj që ngrehina e qytetërimit që njoh është një kështjellë letre. Kam frikë nga zerimi, por edhe nga e kundërta e tij: Që frika të kalojë kot, pa lënë pas vetes një ndryshim”.
Historia përsërit vetveten, varet nga ne nëqoftëse me vullnetin e duhur vendosim të mësojmë prej saj.
*Inxhiniere Mjedisi