Çdo ditë që kalon shtohen edhe më shumë shpresat se brenda këtij viti do të jetë gati një prej vaksinave të shumta antiCovid që po zhvillohen nga kompani të ndryshme farmaceutike dhe bioteknologjike. Sipas Institutit gjerman ‘Robert Koch’, vaksina e Covid do të jetë e gatshme në vjeshtën e ardhshme.
“Parashikimet e tanishme sugjerojnë se është e mundur të kemi një vaksinë deri në vjeshtë të vitit 2020”, shkruhet në një dokument të botuar në internet nga ekspertët e institutit të referencës shëndetësore të qeverisë gjermane.
Macron për vaksinën.
Në një situatë europiane ku javën e fundit është rritur ndjeshëm numri i përsonave të identifikuar me Covid dhe në veçanti në Francë ka patur rritje të fortë të numrave të infeksionit, me 4771 raste të reja në 24 orë kurse në Gjermani më shumë se 1700 në vetëm një ditë, presidenti francez Macron është shprehur se “Për momentin shumë kompani bioteknologjike janë në fazën 3 të testeve klinike dhe kemi arsyet e nevojshme të besojmë se shumë shpejtë vaksina do të jetë gati.
Trump: Do të kemi një lajm të mirë së shpejti.
Në një intervistë për Fox News, presidenti amerikan Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë afër gjetjes së vaksinës
“Jemi afër vaksinës. Do të kemi një lajm të mirë së shpejti. Kemi bërë një punë fantastike” kundër koronavirusit. Kemi shpëtuar shumë jetë”- deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Kuba nis testet e para klinike të vaksinës “Soberana 01”.
Kuba do të fillojë më 24 gusht fazën e parë të provave klinike të vaksinës së saj kundër Covid-19, rezultatet e së cilës do të jenë në dispozicion në janar të vitit 2021, ka njoftuar regjistri publik kuban i provave klinike. Testet do të kryhen mbi 676 persona midis moshës 19 dhe 80 vjeç. Procesi i testit klinik do të duhet të përfundojë më 11 janar dhe rezultatet e tij duhet të jenë në dispozicion në 1 shkurt dhe do të jenë të aksesueshme përmes botimit më 15 shkurt.
Ishulli i Karaibeve është vendi i fundit në listën e atyre që kanë filluar nga puna për të gjetur kurë për covid-19. Para dy ditësh Brazili autorizoi nisjen në vend te fazës së tretë dhe të fundit të testeve të vaksinës Covid e zhvilluar nga laboratori amerikan Johnson & Johnson. Kina gjithashtu dha miratimin e saj të parë për një vaksinë të mundshme kundër Covid-19. Ajo është Ad5-nCoV, e zhvilluar nga ‘CanSino Biologics’ me Institutin Bioteknologjik të Akademisë së Shkencave Mjekësore Ushtarake. Rusia gjithashtu njoftoi javën e kaluar se ajo kishte regjistruar tashmë vaksinën ‘Sputnik V’, duke ngritur gjithashtu dyshime nga komuniteti shkencor dhe OBSH për efikasitetin e saj.