“Ujësjellësi i Kavajës me një rrjet ekzistues të brendshëm qysh prej vitit të largët 1978, ka përjetuar disa inaugurime me daulle, si ato të rrugëve të lëna rrugëve, por deri më sot ka kapur maksimumin e vet me 4 deri 6 orë e gjysëm në ditë, ndërsa në periudhë thatësire furnizimi bie deri në 2 orë në ditë”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa, ndau pamje nga kantieri i ujit në Kavajë.
Rama tha se “duke ndërtuar plot 106.7 kilometra rrjet të ri, në kantierin ku deri më sot janë realizuar afro gjysma e punimeve, do të garantojmë që brenda vitit të ardhshëm Kavaja të furnizohet normalisht dhe përfundimisht me ujë të pishëm 24 orë në ditë”.
“Kujt vazhdon të përsërisë se duhet të ishte bërë më parë, i them prapë se po, padyshim po, duhet të ishte bërë shumë kohë më parë, po kush ta bënte (?) dhe prandaj i përsëris, ne s’jemi pa gabime por ama për larjen e tërë kusureve të dekadave para nesh nuk ka shkop magjik, po vetëm punë e durim”, shtoi ai.