PD mbyll fazën e parë të përzgjedhjes së kandidaturave për deputetë e kryebashkiakë. Komisioni i Vlerësimit mbylli sot edhe dy qarqet e fundit, Tiranë e Vlorë. Në total janë rreth 1000 kandidatë, të cilët duhet të plotësojnë formularin e “vetingut të PD”, ku duhet të tregojnë raportet me drejtësinë, por edhe nëse kanë pasur varësi nga alkooli apo janë konsultuar me psikolog. Formulari iu dërgua një ditë më parë edhe Jozefina Topallit. E pyetur nga A2 nëse do pranojë kandidimin, Topalli tha:
“Vendi ynë është në udhëkryq. Një qeveri e zhytur në skandale dhe një opozitë false ia kanë vështirësuar jetën qytetarëve shqiptarë. Unë jam prekur nga propozimet e demokratëve për mua. Unë i jam mirënjohëse. E di që ata duan të sjellin ndryshim dhe vendi ka nevojë për ndryshim. Ka nevojë për idealistë, njerëz të ndershëm e të pakompromisë si ata. Formularët janë një fyerje për çdo demokrat dhe komisioni është një truk i Lulzim Bashës për të hedhur hi syve.
Nuk besoj se një forcë politike demokratizohet përmes formularëve. Kriza i ka rrënjët pikërisht në marrjen peng të forcave politike. Ndaj dhe beteja duhet filluar aty. Partitë duhet të çlirohen nga kryetarët dështakë e dezertorë. Një drejtim i ri me njerëz të pa korruptuar do sillte shpresë për vendin. Uroj që të rinjtë të bashkohen për të filluar ndryshimin”.