Vitin që vjen do të nisë puna për ndërtimin e Kampusit të ri Universitar, projekti i të cilit parashikon 11 godina të reja, salla leximi dhe mjedise moderne për të mikpritur jo vetëm studentët që vijnë nga rrethet, por edhe studentët e huaj në kuadër të shkëmbimeve Erasmus.
Në buxhetin afatmesëm, konkretisht në 2021 parashikohet një fond prej 3 miliardë lekësh për nisjen e punimeve për ndërtimin e Kampusit. Sipas projektit të prezantuar nga bashkia e Tiranës, krahas rikonstruksionit të godinave aktuale, parashikohet edhe ndërtimi i 11 godinave dhe i hapësirave të tjera moderne komode.
“Planifikojmë që të ndërtojmë një mega-bibliotekë për Qytetin Studenti. Unë e di që në miniaturë ka salla leximi që po i rikonstruktojmë në secilën prej konvikteve, ama një hapësirë më të madhe sot nuk e kemi dhe planifikohet në Kampusin e ri Universitar. Tjetra është mensa. Pjesa e tretë po aq e rëndësishme ka të bëjë me terrenet sportive dhe me të gjithë hapësirat çlodhëse rreth “Qytetit Studenti””, ka deklaruar më herët kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.