“Kantieri i ujit në zonën e Dumresë, i hapur nga qeveria jonë për të transformuar rrënjësisht një rrjet plotësisht të amortizuar, ku s’ishte vënë dorë qysh prej vitit 1983, do të zgjidhë njëherë e mirë furnizimin e familjeve në Belsh, të cilat sot marrin 12 deri 15 orë ujë në ditë dhe të 34 fshatrave përreth, ku uji arrin në rubinet nga 3 deri në 6 orë në ditë”.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, duke u ndalur te ky investim i qeverisë me rëndësi jetike për zonën.

Rama tha se “aktualisht janë kryer afro 60% e punimeve, për të realizuar një rrjet kompleks me 22.3 kilometra linjë kryesore dhe 40.4 kilometra degëzime”. Sipas tij, “risia e bukur është se rrjeti i ri do të lidhet me një burim energjie diellore, prodhuar nga panele fotovoltaike dhe brenda vitit 2021, 8 681 familjeve të përfshira nga ky projekt, nuk do t’u mungojë më asnjë minutë uji në shtëpi”.

“Duke ndjekur komentet e postimeve nga Kantieret e Ujit, të bien në sy edhe pyetja cinike, “Pse u kujtove tani?”, edhe shprehja përqeshëse, “Po vijnë votimet prandaj!”, por në fakt as u kujtova tani dhe as ka lidhje me votimet kjo punë e madhe, për zgjidhjen përfundimtare të problemit të ujit të pijshëm në qendrat urbane të Shqipërisë, ku rritja e shpejtë e popullatës, ndërtimet e shumta pa leje, ndërhyrjet e panumërta të paligjshme në rrjet, si edhe mungesa e investimeve prej dekadash, kanë krijuar në vite këtë problem të madh”, tha Rama.

Ai shtoi se “ajo që nuk duan të mësojnë apo thjesht kuptojnë, ata që bëjnë kompetentin e mllefosur, njësoj si tifozët e acaruar që bëjnë trainerin, është se investimet publike nuk nisin kur mbarojnë, as kur fillojnë gërmimet, po kur filloi projektimi i tyre, i cili merr kohë e bashkë me procedurat ligjore, kërkon nganjëherë edhe vite”.

“Shikoni për shembull Rindërtimin e Shkollave, një pjesë e tyre po ndërtohen nga ne me fondet e buxhetit të shtetit, një pjesë tjetër do të ndërtohen nga Bashkimi Europian. Ne kemi nisur nga puna në kantier, ndërsa BE-ja ende jo, sepse ka procedurat e veta, më të zgjatura se sa tonat (kjo vlen edhe për ata që thonë ku i çuat paratë e botës dhe nuk e dinë që bota paratë i shpenzon vetë, me procedurat e veta, nuk na i jep ne në ndonjë thes, siç e imagjinojnë kompetentët e mllefosur!), shtoi ai.

Kryeministri theksoi se “përveçse i kemi nisur me kohë e me vakt këto projekte të ujit, mos harrojmë se edhe financimi i tyre nuk ka qenë i mundur shumë më parë, kur duhet të lanim malin me borxhe që trashëguam nga ata të cilët, siç e shihni, kush do të shohë natyrisht, i lanë ujësjellësat me tubat e miqësisë shqiptaro-kineze (si në Dumre), e sot u ofrojnë shqiptarëve tubin më të madh të baltës së akuzave e të shpifjeve, si alternativë qeverisëse”.

“Ah edhe diçka, vërej që disa prej jush komentojnë pa lexuar, pjesa më e madhe e tyre e kanë fjalën e keqe në majë të gjuhës dhe u del pa pasur nevojë të informohen, s’ke ç’u bën. Të tjerëve u lutem të mos ia përtojnë leximit të postimit, përpara se sa të komentojnë a të bëjnë pyetje që në fakt e kanë përgjigjen në postim”, shtoi ai.