Media e njohur prestigjoze BBC ka shkruar një artikull, në lidhje me kërkesat për azil që bëhen për në Britaninë e Madhe. Sipas shifrave zyrtare të institucioneve, kërkesat për azil janë rritur në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit që lamë pas. “Katër nga pesë aplikantët në tre muajt e fundit të vitit 2019 pritën gjashtë muaj ose më shumë që çështjet e tyre të trajtohen, krahasuar me tre nga katër gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2018. Ndërsa në vitin 2014, vetëm një në pesë kërkues për azil priste kaq gjatë”, bën me dije gjigandi mediatik.
Po ashtu, në shkrim thuhet se azilkërkuesit nuk mund të punojnë ndërkohë që kërkesat e tyre po përpunohen, kështu që qeveria u ofron atyre një ndihmë ditore prej më shumë se 5 paund dhe akomodim, shpesh në bujtina ose banesa të përbashkëta. Pasi një aplikant ka pritur për një vit, ata mund të kërkojnë të drejtën për të punuar. Edhe kur aplikohet për punë, shpesh herë nuk gjendet mundësia për punësim. Tashmë edhe shanset për azil janë shumë më të vogla dhe shqyrtimet janë duke u zhvilluar në një kohë relativisht të gjatë. Observatori i Migracionit në Universitetin e Oksfordit raporton se më 2019, janë paraqitur 45 000 kërkesa për azil. Kjo është shifra më e lartë që nga viti 2003.