Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj deklaroi sot se prej vitit 2018, Banka Botërore ka planifikuar rreth 80 milionë dollarë në kuadër të një Programi për rritjen dhe qëndrueshmërinë fiskale për Shqipërinë. Sipas saj, kjo shumë është një kredi e butë në dispozicion të Qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë, për tu marrë në formën e një mbështetjeje buxhetore.
Ministrja hodhi poshtë akuzat e ngritura nga opozita se kredia po merret për menaxhimin e riskut të projekteve me Partneritet Publik e Privat të njohura si PPP.
“Jemi mësuar tashmë me keqinformime të ndryshme, rutinë e strukturave të opozitës. E theksoj, sepse duhet përpjekje për të keqinformuar për çështje teknike si instrumentat e huamarrjes së Bankës Botërore, me tërësinë e rregulloreve dhe transparencës që ata përdorin”, tha Denaj. Por, shtoi ajo, për të qartësuar publikun e jo opozitën, prej vitit 2018, si e tillë, ajo do të përdoret, jo për menaxhimin e riskut të PPP apo ndonjë gjë tjetër që mund t’i vijë ndër mend strukturave të opozitës, por për të adresuar një pjesë të kërkesave të mëdha buxhetore që kemi.
“Marrja e këtyre fondeve si kredi e butë nga Banka Botërore është e lidhur me plotësimin e disa kushteve nga qeveria shqiptare për të ndërmarrë reforma të thella në disa sektorë”, deklaroi Denaj. Në periudhën qershor-korrik të këtij viti, bëri të ditur ministrja, miratuam 4 ligje të rëndësishme në Kuvendin e Shqipërisë për sipërmarrjen e investimeve kolektive, tregjet e kapitalit, si dhe shërbimet e pagesave, të cilat sigurojnë mundësi për alternativa të reja biznesi, alternativa të reja punësimi për të rinjtë tanë, dhe akses në financim.
Në maj 2019, u shpreh ministrja, miratuam ndryshimet në ligjin për PPP, ku përmirësuam funksionet e Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë për menaxhimin dhe uljen e riskut fiskal. Denaj theksoi se ministria e Financave dhe Ekonomisë monitoron PPP-të në bazë vjetore. “Kemi bërë zero stokun e TVSH dhe kemi dhënë rimbursim TVSH rreth 23.5 miliardë lekë në vitin 2019, shuma më e madhe e dhënë ndonjëherë. Kemi përmirësuar transparencën dhe proceset dhe kemi reduktuar kohën e marrjes së rimbursimit të TVSH-së për të gjitha bizneset”, deklaroi Denaj.
Pikërisht në përfundim të këtyre reformave, vuri në dukje ajo, finalizohet me sukses ky proces për marrjen e mbështetjes buxhetore. “Duke qenë se kemi realizuar dhe certifikuar objektivat e vendosur me Bankën Botërore, bëjmë të mundur disbursimin e fondeve në vitin 2020. Mirënjohje për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për reformat dhe proceset për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë”, tha Denaj.
Dy ditë më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftoi se në kuadër të parashikimeve të mëparshme për zbatimin e reformave, po vijon bashkëpunimin me Bankën Botërore për një mbështetje buxhetore për Zhvillimin e Politikave për Qendrueshmërinë Fiskale me një vlerë prej 80 Milionë Dollarë, një angazhim i nisur në vitin 2018. Ministria e Financave dhe Ekonomisë informon se kjo mbështetje buxhetore është një kredi e butë, me kushte financiare të favorshme, që merret përmes një prej institucioneve financiare ndërkombëtare e fokusuar veçanërisht në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e politikave fiskale.
Reformat që mbështeten përmes kësaj mbështetje buxhetore për Zhvillimin e Politikave për Qëndrueshmërinë Fiskale janë: • Forcimi i transparencës dhe llogaridhënies së financave publike • Përmirësimi i financave për rritjen dhe rimëkëmbje; • Mbështetje për mundësitë sektoriale për zhvillim të qëndrueshëm