“Me angazhimin tonë dhe punën e përbashkët, ne do të kemi një vend dhe institucione me të cilat do të jemi krenarë të gjithë”, tha Zaev.
Me 62 vota për, 51 kundër dhe asnjë të përmbajtur, pas një debati dyditor, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi qeverinë e re.
Për kryeministër të vendit u zgjodh Zoran Zaev, lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe koalicionit “Mundemi”, i cili në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik fitoi numrin më të madh të vendeve në parlament (46).
Para se deputetët të votonin për qeverinë, Zaev iu drejtua kuvendit, duke premtuar standard dhe perspektivë më të mirë. Ai tha se qeveria e re do të punojë që të gjithë qytetarët të kenë një sistem ligjor në të cilin do të besojnë qytetarët. Zaev theksoi se ata si qeveri do të shërbejnë me ndershmëri dhe me përgjegjësi dhe do të jenë një shërbim të qytetarëve.
“Me angazhimin tonë dhe punën e përbashkët, ne do të kemi një vend dhe institucione me të cilat do të jemi krenarë të gjithë”, tha Zaev, i cili paralajmëroi angazhim të plotë për ekonominë dhe, ndër të tjera, premtoi një periudhë të qëndrueshme politike dhe periudhë të parashikueshmërisë.
Në funksionin e kryeministrit Zaev u zgjodh edhe në qershor të vitit 2017, pozitë të cilën e vazhdoi deri më 3 janar 2020, kur dha dorëheqjen për shkak të zgjedhjes së qeverisë së përkohshme që kishte për detyrë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara fillimisht për 12 prill, të cilat u shtynë më pas për më 15 korrik për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19).
Në qeverinë e re, LSDM ka 11 anëtarë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) 6, ndërsa partitë Besa dhe Partia Liberal-Demokratike, partnerët e koalicionit parazgjedhor të LSDM-së, kanë secila nga një post ministror.
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, është zgjedhur zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Sistemit Politik, Nikolla Dimitrov nga radhët e LSDM-së, ish-ministri i Jashtëm, është zgjedhur zëvendëskryeministër për Çështjet Evropiane, ndërsa Ljupço Nikollovski nga LSDM-ja, ish-ministër i Bujqësisë, është zgjedhur zëvendëskryeministër për Luftën Kundër Korrupsionit. Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja është zgjedhur zëvendëskryeministër përgjegjës për Ekonomi.
Radmilla Shekerinska, ministrja e deritanishme e Mbrojtjes, përsëri do ta ketë të njëjtin post, Oliver Spasovski, ish-kryeministri teknik i cili shërbeu si ministër i Brendshëm para fillimit të qeverisë teknike, është zgjedhur përsëri në krye të kësaj ministrie. Venko Filipçe u zgjodh ministër i Shëndetësisë, ndërsa Bojan Mariçiq ministër i Drejtësisë.
Milla Carovska, ish-zëvendëskryeministre për Çështje Ekonomike dhe e cila gjithashtu ka mbajtur postin e ministres së Punës dhe Politikës Sociale në qeverinë e mëparshme, është zgjedhur ministre e Arsimit dhe Shkencës. Ndërkaq, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do të drejtohet nga Bllagoj Boçvarski. Në krye të Ministrisë së Kulturës është zgjedhur Irena Stefoska, gjithashtu nga LSDM-ja.
Ndërkaq, Jahoda Shahpaska është zgjedhur ministre e Punës dhe Politikës Sociale. Nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, zëvendëskryeministri i qeverisë së mëparshme përgjegjës për Çështjet Evropiane, që do të kryesojë Ministrinë e Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi është zgjedhur ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi është rizgjedhur si ministër i Ekonomisë, kurse Jeton Shaqiri është zgjedhur në krye të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdojë të kryesohet nga Naser Nuredini nga BDI-ja, i cili në këtë pozitë ishte edhe në qeverinë e mëparshme. Arjanit Hoxha nga radhët e Besës është zgjedhur ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Goran Milevski nga Partia Liberal-Demokratike është zgjedhur ministër i Vetëqeverisjes Lokale, pozitë të cilën ai e mbajti edhe në qeverinë e mëparshme.
Kjo qeveri është reduktuar për shtatë poste në krahasim me të mëparshmen dhe ka 19 anëtarë të qeverisë dhe postin e kryeministrit. Sipas procedurave, në mënyrë që qeveria të zgjidhej në kuvend, ishte e nevojshme vota e shumicës, konkretisht e të paktën 61 deputetëve nga gjithsej 120 sa numëron kuvendi. Kujtojmë se pas zgjedhjeve të mbajtura më 15 korrik të këtij viti, filluan bisedimet midis partive politike për formimin e qeverisë së re. Për formimin e qeverisë, presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, më 13 gusht ia dorëzoi mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili në zgjedhje kryesoi koalicionin “Mundemi”, që fitoi numrin më të madh të votave.
Më 18 gusht, LSDM-ja dhe BDI-ja njoftuan se kishin arritur marrëveshje për të formuar shumicën parlamentare në të cilën, përveç këtyre dy subjekteve, do të marrë pjesë edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
Më 21 gusht, u mbajt vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjatë së cilës Talat Xhaferi u rizgjodh Kryetar i Kuvendit. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas rezultateve përfundimtare zyrtare të shpallura nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja fitoi më së shumti vende, 46, i ndjekur nga VMRO-DPMNE-ja me 44, BDI-ja 15 vende, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 vende, E Majta 2 dhe PDSH-ja një vend në parlament.