Ndodh edhe kështu. Mamaja dhe vajza do të shkojnë së bashku në Universitet, pasi të dyja kaluan me sukses provimet e maturës dhe fituan të drejtë studimore. Rasti ka ndodhur në Greqinë fqinje. Maria Siafara 41 vjeç, nënë e 4 fëmijëve, fitoi në degën e bujqësisë dhe burimeve ujore në Universitetin e Volos. Ndërsa vajza e saj Dora fitoi të drejtë studimi në Universitetin e Komotini.
41-vjeçarja ka treguar për mediat greke të gjitha përpjekjet e saj përgjatë këtij viti, pasi jo vetëm që duhej të përgatitej për të kaluar provimet, por njëkohësisht të kujdesej për 4 fëmijët, si dhe të mbështeste vajzën e saj 18-vjeçare që dha për herë të parë provimet e maturës. Sot ajo ndihet krenare që ia doli. “Të shkoja në Universitet ishte një dëshirë e paplotësuar gjatë adoleshencës time pasi në vitin 1996 nuk isha në gjendje të ndiqja studimet e larta”, shprehet Maria duke theksuar se që prej atij momenti, Universiteti nuk ishte më çështje prioritare për të dhe ju dedikua familjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve. Por tashmë, dëshira e saj për të ndjekur studimet universitare u përmbush, kjo edhe me mbështetjen e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj.