Mesfushori i Manchester Unitedit, Nemanja Matic, është i përkushtuar në synimin për ta fituar titullin e Premierligës me Djajtë e Kuq, pasi që beson se ai dhe bashkëlojtarët e tij s’duhet ta lejojnë Liverpoolin ta fitojë titullin siç bëri këtë sezon. Manchester Unitedit nuk ka qenë as afër titullit të Premierligës që nga sezoni i fundit i Sir Alex Fergusonit në pozitën e trajnerit në Old Trafford, ku trofeu i kampionit të Anglisë u ngrit për herë të fundit në vitin 2013, transmeton Gazeta Express.
Djajtë e Kuq ishin në pozitën e pestë në tabelë para se ta arrinin një ecuri prej 14 ndeshjeve pa disfatë, që ua mundësoi atyre ta mbyllnin sezonin në pozitën e tretë në tabelë dhe sigurimin e një vendi në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer e mbylli sezonin 15 pikë prapa Manchester Cityt dhe 33 pikë prapa Liverpoolit. Mesfushori serb Matic beson se Djajtë e Kuq duhet të synojnë të bëjnë më shumë presion në garën për titull për sezonin e ardhshëm.
“Unë dua ta fitoj trofeun e Premierligës me Manchester United. Mendoj se klubi ynë gjithmonë duhet të luftojë për titullin e kampionit”, ka thënë 32-vjeçari. “Ne gjithmonë tentojmë ta japim më të mirën tonë për klubin dhe këtë po e bëjmë për momentin. Mendoj se nuk duhet ta lejojmë asnjë klub ta fitojë ligën shtatë apo dhjetë ndeshje para se të përfundojë sezoni. Ne duhet të luftojmë deri në fund”. “Natyrisht, tani e kemi një ekip të ri, por kjo s’duhet të përdoret si arsyetim. Kështu që nga sezoni i ardhshëm, ne duhet të luftojmë për titullin e kampionit. Nuk e di nëse do ta fitojmë, por do të luftojmë deri në fund”.