Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përcakton procedurën, dokumentacionin dhe masën e përfitimit të ndihmës financiare nga paketa e tretë, për të punësuarit apo ish-të punësuarit në subjektet e transporti publik qytetas dhe ndërqytetas, në kuadër të masave të marra për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19.
Sipas DPT-së, punonjësit e këtij sektori, të cilët janë deklaruar nga subjektet në listëpagesën e muajit shkurt 2020, përfitojnë ndihmë financiare në masën 26 mijë lekë, pavarësisht nëse kanë qenë apo jo përfitues nga paketat ndihmës financiare nr. 1 dhe 2.
Individët përfitues të paketës 1 dhe 2 janë automatikisht përfitues dhe kalimi i masës së përfitimit do të kryhet sipas të dhënave të llogarive bankare të dorëzuara më parë.
Plotësimi i formularit të të dhënave bankare është i thjeshtë dhe pas dorëzimit të tij do të vijohet menjëherë me kalimin në mënyrë automatike të masës së përfitimit.
Administrata tatimore fton të gjithë individët e interesuar të verifikojnë të dhënat e tyre në listën bashkëngjitur dhe të plotësojnë menjëherë formularin e të dhënave bankare për të mundësuar sa më shpejt kalimin e ndihmës financiare në llogarinë e tyre.
Për çdo ankesë apo problematikë që mund të keni, ju mund të përcillni një e-mail në adresën paketa3 @ tatime .gov .al ose mund të kontaktoni Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 0002, e hënë- e enjte në orarin 08.00-16.30 dhe e premte 08.00-14.00.