Presidenti Josep Maria Bartomeu ka bërë me dije se ai do të largohet nga drejtimi i Barcelonës në mënyrë që Lionel Messi të vazhdojë aventurën te Barça, gjithmonë nëse sipas argjentinasit problemi i vërtetë i blaugranave është pikërisht presidenti. Por mesa duket as kjo lëvizje e numrit 1 të klubit katalanas nuk ia ka ndryshuar mendjen yllit argjentinas i cili është i vendosur për t’u larguar, gjithnjë sipas mediave në Spanjë.
Manchester City vazhdon të jetë në pole-position për të firmosur me Leo Messin, por edhe Paris Saint Germain e Inter nuk mbeten pas. Në Itali Messi do të kishte lehtësira përsa i përket taksave dhe kjo është një favor për zikaltrit të cilët po punojnë në heshtje madje janë të gatshëm të firmosin me Vidal një mik i vjetër i Leos dhe të mbajnë në skuadër Lautaro Martinez për të bindur yllin e Barçës të transferohet në San Siro.
Ndërkohë një telefonatë mund t’i ndryshojë mendjen Messit, të paktën kështu raportojnë mediat ndërkombëtare. Angel Di Maria ka telefonuar mikun e tij, duke i kërkuar të zgjedhë Paris Saint Germain si destinacionin e tij të ardhshëm. Nuk dihet ende përgjigja e Messit që ka edhe një ofertë në tryezë nga Manchester City për një kontratë 5-vjeçare, 3 vite si lojtar i City të Guardiolës dhe 2 vite të tjera te skuadra satelite e Citiziens në Major League Soccer.