Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së janë mbledhur në Berlin, ku do të diskutojnë për dy ditë rreth sanksioneve të planifikuara kundër Bjellorusisë dhe reagimet e mundshme ndaj zhvillimeve në konfliktin për gazin natyror me Turqinë. Sipas zyrtarëve të BE-së, sanksionet e planifikuara kundër Bjellorusisë fillimisht mund të prekin rreth 15-20 persona të përfshirë në mashtrimet zgjedhore dhe në dhunën dhe shtypjen e protestave. Qëllimi i takimit është të arrihet në parim një marrëveshje politike për persona të caktuar si dhe për parimet e sanksioneve.
Edhe ndaj Turqisë mund të merren gjithashtu masa të reja ndëshkuese, sepse Turqia vazhdon të kryejë kërkime për gaz në pjesë të Detit Mesdhe që pretendohen nga Greqia dhe Qiproja, pavarësisht paralajmërimeve nga BE-ja. I ngarkuari i BE-së për çështjet e jashtme, Joseph Borrell, do të paraqesë mundësi të ndryshme se si mund të veprojë BE-ja kundrejt Turqisë.
BE-ja ka vendosur që nga viti i kaluar një sërë sanksionesh ndaj Ankarasë, sepse i konsideron shpimet për gaz si të paligjshme. Gjithsesi sanksionet ndaj Turqisë pritet të vendosen vetëm nëse përpjekjet e fundit të Gjermanisë për të ndërmjetësuar në konflikt dështojnë. Sikurse u tha në kuadrin e një takimi të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të BE-së në Berlin kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mund të bisedojnë përmes telefonit të premten. Megjithë thirrjet e shumta që konflikti të mos acarohet, ai vazhdon të përshkallëzohet. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të mërkurën se vendi i tij nuk do të bëjë lëshime në Mesdheun Lindor dhe i bëri thirrje Greqisë që të mos bëjë “gabime” që mund ta “shkat ërrojnë”.